Lidhje

Pakënaqësitë në Kosovë ushqejnë tensionet


Tensionet po shtohen në Kosovë mes pakënaqësive në rritje mes të rinjve, shumica të zhgënjyer nga mungesa e mundësive në një atmosferë të tendosur marrëdhëniesh etnike.

Qindra qytetarë të Kosovës përpiqen çdo natë të sigurojnë një vend në një nga autobuzët e parkuar në stacionin kryesor të autobuzëve në Prishtinë që ata shpresojnë t’i çojë drejt një jete më të mirë në vende të Evropës Perëndimore.

Është një shenjë e pakënaqësive në rritje me elitën qeveritare në vendin më të ri dhe të varfër të Evropës.

Një tregues i kësaj pakënaqësie ishin protestat e fundit, organizuar nga partitë opozitare ku kërkohej dorëheqja e ministrit serb Aleksandër Jablanoviç, i cili kishte mohuar se ishin kryer krime lufte kundër shqiptarëve gjatë luftës me Serbinë në fund të viteve 1999.

Komentet e tij kanë zemëruar veçanërisht familjet e rreth 1 mijë shqiptarëve që ende rezultojnë të humbur.

Qeveria ka fajësuar për dhunën opozitën për të cilën thotë se po përpiqet ta përmbysë.

Por vëzhguesit thonë se rrënjët e pakënaqësive janë më të thella.

Adoleshentë dhe familje të tëra ndërmarrin një udhëtim të vështirë për në Serbi dhe pastaj kalojnë ilegalisht kufirin për në Hungari me destinacion final vende si Gjermania, Suedia ose Franca.

Para disa ditësh nëntë autobuzë u nisën të stërmbushur me pasagjerë dhe zyrtarë të stacionit të autobuzit thanë se ata kapnin shifrën prej 500 vetësh.

Vëllai i Misrad Muliqit dhe familja e tij nga Vushtria ishin mes këtyre pasagjerëve.

“Këta janë tu shkue, me u hjek prej këtij vendi të fëlliqtë, tuj shkue përjasht diku, ku t’munden me ndejt, veç në Kosovë mos me ndejt”.

“Isha shumë e lumtur, sepse kam shokët e mi dhe çdo gjë tjetër. Ishte koha më e mirë e jetës sime, por po bëhet shumë e vështirë të jetosh këtu. Prandaj vendosëm të largohemi nga Kosova”.

Zemërimi me ngecjen e përparimit ekonomik theksohet edhe nga përplasjet politike me Serbinë.

Labinot Kadriu, anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje këmbëngul se qeveria aktuale duhet rrëzuar.

“Prej kryeministrisë duhet me ra kjo qeveri krejt se kjo qeveri ka premtuar shumë dhe nuk ka realizuar as 0.0001 për qind. Na jena për rënien e kësaj qeverie”.

Qeveria e Kosovës i dënon protestat.

“Qeveria e dënon ashpër dhunën e ushtruar nga ana e protestuesve gjë që çoi në kalimin ekstrem të situatës dhe në rrezikimin e rendit kushtetues të republikës së Kosovës”

Ramush Haradinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës që mbështet prtotestat hedh poshtë akuzat e qeverisë se opozita po i nxit protestat për interesat e veta politike.

“Ka plot kategori qytetarësh që u thonë ‘nuk ju japim më kohë’. Përpara kanë dhënë kohë të gjithë dhe kanë pasur tolerancë sepse ishte çështja e pavarësisë. Erdhi pavarësia, jemi në fillim, po ju lëmë një mandat, ju dhanë dy mandate qeverisë Thaçi, tani qytetarët po thonë nuk kemi më kohë, na shkoi jeta duke ju dhënë ju kohë”.

Analisti Dukagjin Gorani fajëson për trazirat sociale, ish udhëheqësit e UÇK-së.

“Kosova dhe shoqëria e saj vazhdimisht janë plaçkitur dhe robëruar në emër të lirisë, në emër të historisë së vitit 1999, por edhe të historisë që ka prodhuar elita sociale dhe politike që tani po bëhen të papërgjegjshme dhe po e çojnë gradualisht Kosovën drejt një revolte sociale të mundshme dhe pakënaqësie politike”.

Sipas Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Zhvillim, PNUD-it, papunësia në Kosovë është 35 për qind dhe shkalla e varfërisë është pothuajse 30 për qind. Banorët e kanë të vështirë të marrin viza dhe vendi varet ekonomikisht tek ndihma e huaj dhe paratë që sjellin emigrantët.

Zyrtarët ndërkombëtarë shpesh fajësojnë politikanët se kthejnë mbrapsht shumë nga investimet e huaja me kërkesat për shpërblime në këmbim të kontratave.

XS
SM
MD
LG