Lidhje

Thirrje kundër diskriminimit në Kosovë


Kosovo

Kosovo

Organizata vendase e ndërkombëtare dënuan pengimin e një prezantimi të revistës Kosovo 2.0 që trajton seksin dhe homoseksualitetin.


Përfaqësues vendas e ndërkombëtarë në Kosovë, kanë bërë thirrje kundër çdo forme të diskriminimit dhe kufizimit të lirisë së shprehjes. Thirrjet pasuan një incident që ndodhi të premten në mbrëmje në Prishtinë, kur grupe personash ndërhynë me forcë për të penguar prezantimin e revistës Kosovo 2.0 që numrin e radhës ia ka kushtuar temave të seksit dhe trajtimit të homoseksualitetit.

Policia e Kosovës kishte ndërhyrë për të shpërndarë grupe të rinjsh që veten e identifikuan si pjesëtarë të grupit të tifozëve të futbollit të njohur si plisat, që shkatërruan një pjesë të mjeteve të vendosura në mjediset ku po përgatitej debati. Ata thanë se debatet e tilla janë të dëmshme dhe të papranueshme për shoqërinë e Kosovës.

Pjesë e programit ishte shfaqja e disa filma edukativo arsimor dhe leximi i letrave të shkëmbyera në vitet e 90-ta nga pjesëtarë të komunitetit homoseksual.

Kryeredaktorja e revistës Besa Luci tha se ndërhyrja është shkelje e të drejtave të njeriut, duke bërë thirrje që grupet, të cilat nuk pajtohen me mund të organizojnë debate por jo të ndërhyjnë për të penguar lirinë e shprehjes.

Ndërhyrja u dënua nga Avokati i Popullit, Sami Kurteshi i cili e cilësoi incidentin si shkelje të të drejtave të njeriut.

Incidenti dënohet nga OSBE, BE-ja

Incidenti i dënua nga ushtruesja e detyrës së shefit të Misionit të OSBE-së në Kosovë, Elaine Conkievich. Sipas saj, “ky është një sulm ndaj lirisë së shprehjes, një e drejtë bazë e njeriut, si dhe një përpjekje për të kufizuar lirinë e medias. Unë u bëj thirrje të gjitha agjencive për zbatimin e ligjit që të bëjnë një hetim të shpejtë, t’i identifikojnë kryesit e kësaj vepre dhe të parandalojnë shkeljet e të drejtave të njeriut dhe sulmet ndaj lirisë së medias”, thekson zonja Conkievich.

Incidenti i dënua edhe nga përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zbogar.

Së pari do të doja të tregoja se sa shumë e çmoj dhe vlerësoj punën e Besa Lucit dhe ekipit të saj ‘Kosovo 2.0’, të cilët në edicionet e tyre on-line dhe të shtypura, ofrojnë...imazhin e Kosovës urbane, evropiane dhe moderne. Kur flasim për vlerat evropiane, zërat e tyre janë të domosdoshëm. Isha i tronditur, kur më informuan se në Prishtinën e sotme është e mundur të përdoret dhunë brutale, në mënyrë që të parandalohet një debat publik. Çdo lloj përdorimi i forcës në zgjidhjen e çështjeve të vështira sociale është e papranueshme, mirëpo kur sulmohen liria e të shprehurit dhe mediat e pavarura, atëherë kjo gjë bëhet edhe më shqetësuese. Unë besoj se policia e Kosovës do të gjejë sulmuesit dhe uroj që ‘Kosovo 2.0’ nuk do të dorëzohet për shkak të këtij lloj brutaliteti”, thuhet në një komunikatë për media të zyrës së zotit Zbogar.

Reagon Ministria e integrimeve evropiane

Duke dënuar incidentin Ministria e Integrimeve Evropiane u ka bërë thirrje organeve të rendit të veprojnë kundër diskriminimit në baza etnike, gjinore, fetare, të orientimit seksual, etj. Ministria u bënë thirrje shoqatave, organizata të shoqërisë civile dhe tifozëve sportiv që të përdorin vetëm mjetet e dialogut qytetar për të diskutuar çështjet shoqërore në Republikën e Kosovës.

“Me këtë rast përkujtojmë qytetarët se përfundimet e Komisionit Evropian obligojnë Qeverinë të përmirësojë situatën në lidhje me shprehjen e lirë dhe liritë e medieve si kusht thelbësore të identifikuar në Studimin e Fizibilitetit”, thuhet në një komunikatë për opinion.

Ministria e Integrimeve dhe Qeveria e Kosovës është e përkushtuar ndaj respektimit të të drejtave dhe lirive njerëzore, politike dhe fetare duke respektuar dhe mbrojtur të gjitha kategoritë kushtetuese nga diskriminimi si obligim ligjor dhe si drejtim parimor i të gjitha institucioneve dhe spektrit politik që përkrah agjendën e Integrimeve Evropiane.

“Ekstremizmi i çfarëdo lloji nuk është produkt vendor por fenomen i importuar nga shtetet fqinje dhe shoqëritë tjera”, thuhet në reagimin e kësaj ministrie në të cilin nënvizohet se për vitin 2013 është ndarë buxhet i veçantë për mbrojtjen e lirisë së shprehjes, lirisë së medies dhe për kundërshtimin e diskriminimit të të gjithë qytetarëve të Kosovës.

Kosova nuk do të jetë terren për veprimin e grupeve që cenojnë të drejtat dhe liritë e cilido komunitet”, theksohet në reagim.
XS
SM
MD
LG