Lidhje

BERZH: Pengesat për aktivitetin e biznesit në Kosovë


Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, vë ekonominë gri në krye të pengesave për bizneset në Kosovë

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, numëroi konkurrencën nga ekonomia gri, problemet me furnizimin me energji elektrike dhe praktikat korruptive, si pengesat kryesore për të bërë biznes në Kosovë.

Në një komunikatë të kësaj banke, thuhet se 66 për qind e pronarëve të bizneseve në Kosovë, e kanë vecuar ekonominë gri si problemin me të cilin përballen ata në të bërit biznes. Kjo shifër është më e larta në mesin e 30 shteteve ku është shtrirë studimi i BERZH-it në bashkëpunim me Bankën Botërore dhe i cili përfshinë mbi 15 mijë kompani.

Energjia elektrike është identifikuar si një nga pengesat e mëdha, së bashku me qasjen në financa dhe problemet me krimin, thuhet në studim, ku korrupsioni radhitet në mesin e pengesave të të bërit biznes jo vetëm në Kosovë.

Vlerësimet janë pjesë e studimit të pestë të BERXH-it dhe dhe Bankës Botërore mbi mjedisin e të bërit biznes dhe afarizmit të ndërmarrjeve për vitet 2013/2014.

Kosova u bë anëtarja e 66-të e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim në dhjetor të vitit 2012, një hap që autoritetet e Kosovës e kishin vlerësuar si të shumëpritur dhe të rëndësishëm për konsolidimin e shtetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe për reformën e brendshme drejt zhvillimit dhe forcimit të ekonomisë së tregut të lirë.

Ekspertë të ekonomisë në Kosovë, kanë shfaqur ndërkaq shqetësimin se siç thuhet, anëtarësimin në këtë bankë, institucionet e Kosovës e kanë shfrytëzuar më shumë si fitore politike, por nuk kanë bërë sa duhet për të përfituar nga ky mekanizëm financiar.

XS
SM
MD
LG