Lidhje

Mbyllen përkohësisht shkollat e Prishtinës


Komuna e Prishtinës tha se mbyllja e institucioneve shkollore pasoi dyshimet se nafta që përdoret për ngrohje mund të jetë e rrezikshme për shëndetin e nxënësve

Komuna e Prishtinës urdhëroi sot mbylljen e 43 institucioneve shkollore nën dyshimet se vlera e sulfurit të gjetur në ngrohëset e këtyre institucioneve që shfrytëzojnë naftën, tejkalon shumëfish vlerën e lejuar.

Zyrtarë të komunës thanë se aktualisht janë duke u bërë testimet për të vërtetuar shqetësimet e ngritura dhe shkollat do të mbeten të mbyllura përkohësisht derisa nuk vërtetohet nëse nafta paraqet rrezik për nxënësit.

Ndërkohë, Ministria e Arsimit, nëpërmjet një komunikate tha se vendimi për ndërprerjen e procesit mësimor në shkollat e Prishtinës është marrë nga kryetari i komunës Shpend Ahmeti.

Ministria e Arsimit, thuhet në komunikatë deri më tani nuk ka marrë asnjë shkresë zyrtare nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë për përmbajtjen e cilësisë së naftës që përdoret për ngrohje në shkollat e Prishtinës dhe ka kërkuar që kjo të ndodhë sa më parë. Ministria tha se inspektorët e saj tashmë ndodhen në terren për të vlerësuar situatën.
XS
SM
MD
LG