Lidhje

Rifilloi mësimi në Prishtinë


Shkollat fillore dhe të mesme të Prishtinës u mbyllën të premten për shkak të dyshimeve për cilësinë e naftës që përdoret për ngrohje. Ekspertët thonë se nuk ka shqetësim.

Në Prishtinë, sot rifillioi mësimi në dhjetëra shkolla fillore dhe të mesme që për dy ditë nuk punuan me vendim të autoriteteve komunale, për shkak të siç është thënë dyshimeve se nafta që përdoret për ngrohje mund të jetë e rrezikshme për shëndetin e nxënësve.

Instituti Kombëtar i Shëndetit publik doli me vlerësimet se nuk ka asnjë arsye për shqetësim dhe nafta e përdorur për ngrohje nuk paraqet rrezik për nxënësit.

Të premten, komuna e Prishtinës urdhëroi mbylljen e 43 institucioneve shkollore nën dyshimet se vlera e sulfurit të gjetur në ngrohëset e këtyre institucioneve që shfrytëzojnë naftën, tejkalon shumëfish vlerën e lejuar.

Por, Ministria e Arsimit dhe ajo e Tregtisë dhe Industrisë, nuk ishin pajtuar me vendimin e kryetarit të komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Zoti Ahmeti tha se do të vazhdojë analizimi i naftës edhe në institucione ndërkombëtare. Ndërkaq, në shkollat ku rezervuarët e naftës janë në hapësira të mbyllura do të rifillojë mësimi në bazë të përgjigjes së Institutit Kombëtar të Shëndetësisë ku përgjegjësinë për këtë e merr Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik dhe komisioni i ekspertëve të Institutit.

Në shkollat ku rezervuarët janë në hapësira të hapura dhe në kontakt me nxënësit nuk do të përdoret ngrohja përderisa nuk bëhet ndërrimi i naftës së kontaminuar dhe pastrimi aty ku është e nevojshme.
XS
SM
MD
LG