Lidhje

Egjipti njeh Kosovën


Egjipti është bërë vendi i 100-të që njeh pavarësinë e Kosovës

Kosova që nga e mërkura njihet nga 100 vende të botës, një numër njohjesh që asaj i mundësojnë të shtojë përpjekjet për anëtarësim në organizata të rëndësishme ndërkombëtare.

Ministria e jashtme e Kosovës publikoi njohjen nga Egjipti. Ministri i jashtëm Enver Hoxhaj tha se “shteti më i vjetër në botë Egjipti, njeh zyrtarisht shtetin më të ri në Evropë Kosovën”.

Ai tha se lajmi për njohjen zyrtare të Kosovës nga Egjipti, është konfirmuar nga ministri i Punëve të Jashtme i Egjiptit, Mohamed Kamel Amr dhe ndihmës presidenti i Egjiptit për Marrëdhënie me Jashtë dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar, Essam Al-Haddad.

Kosova shpalli pavarësinë e saj nga Serbia më 17 shkurt të vitit 2008 dhe tashmë njëqind vende e kanë njohur atë.

Pavarësia e saj kundërshtohet nga Serbia e cila megjithatë është përfshirë në një proces të normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën në përpjekje për të siguruar integrimin e saj në Bashkimin Evropian.

Të premten, udhëheqësit e vendeve të BE-së pritet të vendosin hapjen e negociatave për anëtarësim të Serbisë në janar të vitit të ardhshëm dhe të miratojnë hapjen e negociatave për marrëveshjen e stabilizim asocimit me Kosovën.
XS
SM
MD
LG