Lidhje

Serbët e Kosovës do të marrin pjesë në zgjedhjet e së dielës


Beogradi ka bindur përfaqësuesit e serbëve të Kosovës të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare për të mbrojtur interesat e Serbisë

Serbët e Kosovës, megjithatë do të marrin pjesë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të tetë qershorit. Të mërkurën në mbrëmje kryetarët e komunave veriore të Kosovës të banuara me shumicë serbe, thanë se qytetarët serbë të asaj zone do të marrin pjesë në zgjedhje dhe se ky vendim pasoi qëndrimin e qeverisë së Serbisë në favor të pjesëmarrjes në këto zgjedhje.

Më 28 maj kur ishte hapur fushata për këto zgjedhje, kryetarët e komunave veriore thanë se kanë vendosur të ngrijnë veprimtaritë e tyre zgjedhore për shkak të pakënaqësisë me fletëvotimet në të cilat do të jenë të vendosura simbolet e shtetit të Kosovës, të cilin ata refuzojnë ta njohin. Ata ngulën këmbë që fletëvotimet të kenë vetëm logon e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Por, gjërat ndryshuan pas thirrjeve të qeverisë serbe dhe një takimi në veriun e Mitrovicës të drejtuar nga shefi i zyrës së qeverisë serbe për Kosovën Marko Gjuric.

Në një komunikatë për medie të lëshuar pas takimit u tha se “serbët e veriut të Kosovës do t’i përgjigjen njëzëri thirrjes së shtetit serb që të përmbushin detyrën e tyre dhe të marrin pjesë në luftën për realizimin e interesave shtetërore dhe kombëtare të Serbisë nëpërmjet votimit në zgjedhjet për siç thuhet Parlamentin e institucioneve të përkohshme”.

Në komunikatë thuhet se është e domosdoshme që të sigurohen sa më shumë mandate deputetësh në funksion të siç thuhet, “luftës për krijimin e bashkësisë së komunave serbe por edhe në funksion të hapave të politikës shtetërore me qëllim të pengimit të promovimit dhe zbatimit të politikës së pavarësisë së njëanshme të Kosovës”.

Me punën në institucionet e përkohshme dhe vazhdimin e bisedimeve, çdo ditë po forcohet pozita negociuese e Serbisë dhe po i largon separatistët në Prishtinë nga përmbushja e qëllimeve të tyre”, thuhet mes tjerash në komunikatë në të cilën nënvizohet se pjesëmarrja në zgjedhje është mënyrë e luftës politike e kushtëzuar nga rrethanat.

Pesë subjekte politike nga radhët e komunitetit serb janë regjistruar për të marrë pjesë në këto zgjedhje, me gjithë pakënaqësinë e tyre me mosmiratimin e kërkesës për një përfaqësim më të gjerë në Parlamentin e ardhshëm të Kosovës. Në mesin e tyre edhe Lista serbe, që llogaritet si subjekti kryesor, meqë në zgjedhjet lokale të vitit të kaluar ajo fitoi pushtetin në nëntë nga dhjetë komunat me shumicë serbe.

Pjesëmarrja në ato zgjedhje ishte mundësuar me marrëveshjet e arritura në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Partive politike serbe u garantohen dhjetë vende në Parlamentin e Kosovës, ndërsa me pjesëmarrje më te gjerë mund të rrisin këtë numër.
XS
SM
MD
LG