Lidhje

Vëzhguesit e BE-së: Zgjedhjet ishin demokratike


Me gjithë incidentet në veri të Kosovës vëzhguesit thanë se zgjedhjet ishin të mira dhe demokratike.

Misioni i Bashkimit Evropian për vëzhgimin e zgjedhjeve tha se votimet e së dielës për pushtetin komunal ishin një hap pozitiv përpara për demokracinë në Kosovë.



Në raportin paraprak për zgjedhjet e së dielës thuhet se ato ishin me rëndësi të posaçme sepse për herë të parë mbaheshin në të gjithë Kosovën sipas ligjeve të saj. Ndonëse ky proces ende nuk ka përfunduar, ai paraqet një hap pozitiv përpara për demokracinë.

Misioni e vlerëson procesin e votimit si të mirë apo të kënaqshëm në shumicën e vendvotimeve të vëzhguara, me gjithë incidentet e dhunshme në veriun e Mitrovicës, ku grupe të personave të maskuar shkatërruan disa nga vendvotimet.

Shefi i Misionit, Roberto Gualtieri tha se në pjesën më të madhe të Kosovës, dita e zgjedhjeve ka kaluar në mënyrë të qetë dhe paqësore.

Roberto Gualtieri

Roberto Gualtieri

Natyrisht, unë i dënoj sulmet në Mitrovicën e veriut. Ky ishte sulm ndaj të drejtës themelore të njerëzve për t’i shprehur dëshirat e tyre përmes fletëvotimeve. Megjithatë, fakti që njerëzit kanë dalë për të votuar dëshmon se ata që donin ta sabotonin procesin kanë dështuar”, tha ai

Vëzhguesit e Bashkimit Evropian thonë së disa elemente të procesit zgjedhor do të kërkojnë më shumë vëmendje në të ardhmen. Ata nënvizojnë saktësinë e listave të votuesve, posaçërisht rastet e shpeshta të pranisë së personave të vdekur në lista si dhe çështjen e votuesve me të drejtë vote që jetojnë jashtë vendit.

Procesi i regjistrimit të votimit jashtë Kosovës ishte i vështirë dhe nuk ishte i favorshëm për votuesit dhe as gjithëpërfshirës. Megjithatë, janë bërë përpjekje për ta rritur pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës në zgjedhje. Gratë kishin përfaqësim tejet të ulët edhe në organet zgjedhore edhe në kandidim për kryetare të komunave.

Vëzhguesit e Bashkimit Evropian do të qëndrojnë në Kosovë deri në përfundimin e tërë procesit zgjedhor, ndërsa raporti përfundimtar me rekomandimet për zgjedhjet e ardhshme, do të publikohet në fillim të vitit 2014.

Misioni do të vëzhgojë edhe raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë komunash që pritet të mbahet më një dhjetor.

Vlerësime të ngjashme paraqitën edhe vëzhguesit e rrjetit Evropian për Vëzhgimin e Zgjedhjeve, ENEMO, sipas të cilëve zgjedhjet janë administruar në mënyrë efikase dhe në mjedis të qetë në pjesën më të madhe të vendit.

Shefi i këtyre vëzhguesve Zlatko Vujiçiç, tha se pati dështim në krijimin e mjedisit të qëndrueshëm për zgjedhje në veri.

Zlatko Vujiçiç

Zlatko Vujiçiç

Dështimi për të garantuar sigurinë, kombinuar me situatën komplekse politike, ka ndikuar që një numër i votuesve të mos kenë mundësinë lirisht të ushtrojnë detyrën e tyre në komunën e Mitrovicës së Veriut”, tha ai.

Sipas vëzhguesve të ENEMO-s votimi familjar ka mbetur sfidë, së bashku me votimin me ndërmjetësim në një masë më të vogël, ndërsa institucionet kanë dështuar në sigurimin e përfaqësimit të barabartë gjinor.

Në orët e pasdites, përfaqësuesit e mekanizmave të Bashkimit Evropian dhe diplomatët e vendeve anëtare të BE-së, u bënë jehonë gjetjeve të vëzhguesve evropian, duke nënvizuar se zgjedhjet e së dielës janë një element i rëndësishëm në forcimin e rrugës evropiane të Kosovës.

Mbi 30 mijë vëzhgues vendas e ndërkombëtarë ishin angazhuar gjatë zgjedhjeve të se dielës, gjatë të cilave sipas tyre, janë shfaqur probleme të vjetra që nuk ushtrojnë ndikim përcaktues në proces.
XS
SM
MD
LG