Lidhje

Kosovë: Zgjedhjet komunale më tre nëntor


Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga shpalli sot tre nëntorin datë të mbajtjes së zgjedhjeve komunale.


Presidentja Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, shpalli sot tre nëntorin datë të mbajtjes së zgjedhjeve për pushtetin komunal në Kosovë.

Vendimi i saj pasoi këshillimet me partitë politike dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Në një komunikatë për opinion thuhet se presidentja Jahjaga vlerëson që “mbajtja e zgjedhjeve komunale në tërë territorin e Republikës së Kosovës, njëkohësisht, është një mesazh i rëndësishëm për qytetarët e vendit dhe siguron integritetin territorial dhe subjektivitetin e Kosovës”.

Ajo e ka vlerësuar me rëndësi pjesëmarrjen e në këto zgjedhje të qytetarëve të komunitetit serb në komunat veriore të Kosovës. Pjesëmarrja e tyre, thekson ajo “do t’u mundësojë zgjedhjen e përfaqësuesve të tyre legalë e legjitim, të dalë nga vota, që do të punojnë për të ardhmen e të gjithë qytetarëve dhe për integrimin e të gjithëve në shoqërinë dhe institucionet e Republikës së Kosovës”.

Tre nëntori ishte diskutuar në bisedimet ndërmjet kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi e Ivica Daçiç, për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve. Data e cila nuk ishte parë me sy të mirë nga pjesa më e madhe e partive politike në Kosovë, u tha se është propozuar nga ndërmjetësuesit e Bashkimit Evropian.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se kjo datë ishte kompromis që mundëson mbajtjen e zgjedhjeve në tërë territorin e Kosovës, përfshirë edhe veriun e saj ku pas zgjedhjeve pritet krijimi i bashkësisë së komunave serbe, një mekanizëm i përcaktuar me marrëveshjen Kosovë – Serbi e cila u siguron një shkallë të gjerë autonomie komunave veriore të banuara me shumicë serbe.
XS
SM
MD
LG