Lidhje

Serbët e veriut kundër zgjedhjeve komunale në Kosovë


Përfaqësuesit e serbëve të komunave veriore thonë se zgjedhjet e Kosovës janë të papranueshme dhe se ata nuk duan ta marrin pjesë në to.

Përfaqësuesit e serbëve të komunave veriore të Kosovës, nuk duan të marrin pjesë në zgjedhjet për pushtetin komunal, që do të mbahen më 3 nëntor.

Në një mbledhje të të ashtuquajturit Kuvendi i Përkohshëm i Kosovës, që është themeluar në qershor të këtij viti dhe i cili nuk njihet as nga Prishtina e as nga Beogradi, ata thanë se zgjedhjet lokale të Kosovës janë të pa pranueshme, sepse, siç thuhet, janë në kundërshtim me kushtetutën dhe ligjet e Serbisë dhe rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Në përfundimet e miratuara njëzëshëm, thuhet se zgjedhjet e 3 nëntorit janë caktuar nga presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga në përputhje me kushtetutën e Republikës së Kosovës, që për ta është e papranueshme.



Vendimi i sotëm pasoi këshillimet e dy ditëve më parë të përfaqësuesve serbë të komunave veriore të Kosovës me udhëheqësit më të lartë të Serbisë, të cilët u thanë atyre se pjesëmarrja në zgjedhje, është rruga më e mirë për mbrojtjen e, siç thuhet, interesave kombëtare e shtetërore të Serbisë në Kosovë.

Pjesëmarrja e serbëve të komunave veriore në zgjedhjet komunale, është pjesë e marrëveshjes së 19 prillit e arritur ndërmjet kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi e Ivica Daçiç.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG