Lidhje

Kosovë: 103 subjekte politike do të dalin në zgjedhje


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë përmbylli procesin e certifikimit të subjekteve politike që janë regjistruar për të marrë pjesë në zgjedhjet për pushtetin komunal më tre nëntor.

Janë gjithsej 103 subjekte politike të të gjitha komuniteteve që kanë plotësuar kushtet për të marrë pjesë në zgjedhje, në mesin e të cilave janë 18 subjekte nga radhët e komunitetit serb.

Komisioni certifikoi edhe Nismën qytetare serbe, të mbështetur nga Beogradi vetëm pasi ajo u pajtua që të ndryshojë emrin nga Nisma qytetare Serbia, sic ishte paraqitur në fillim.

Zyrtarë serbë thanë se janë pajtuar pa dëshirë më ndryshimin e emrit të kësaj nisme, por vendimi është marrë meqë pjesëmarrja e serbëve të veriut të Kosovës në zgjedhje është interes shtetëror i Serbisë.

Pjesëmarrja e serbëve të komunave veriore në zgjedhjet komunale, është pjesë e marrëveshjes së 19 prillit e arritur ndërmjet kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi e Ivica Daçiç, për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.

Pas zgjedhjeve e do të krijohet bashkësia e komunave serbe që sipas marrëveshjes do të ketë një shkallë të gjerë autonomie.
XS
SM
MD
LG