Lidhje

Bllokohet reforma zgjedhore në Kosovë

  • Leonat Shehu

LDK kushtëzon pjesëmarrjen në reformë me zbatimin e marrëveshjes që çoi në emërimin e presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga.


Lidhja Demokratike e Kosovës, është tërhequr nga Komisioni Parlamentar për Reformën Zgjedhore, duke ngulur këmbë në zbatimin e marrëveshjes së prillit të vitit 2011 që çoi në zgjedhjen e presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga.

Kryetari i komisionit për reformën zgjedhore, Haki Demolli, që është nga radhët e Lidhjes Demokratike tha se kjo parti nuk do të jetë pjesë e komisionit derisa nuk respektohet marrëveshja për presidentin dhe se ajo do t’i kthehet punës së komisionit në momentin kur të ndryshohen rrethanat dhe kur Partia Demokratike e Kosovës do ta respektojë marrëveshjen.

Lidhja Demokratike e Kosovës është shprehur e pakënaqur me situatën e krijuar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës lidhur me mandatin e presidentes së Kosovës. Gjykata në fillim të muajit korrik shpalli se propozimi për ndërprerjen e parakohshme të mandatit të presidentes së Kosovës, nuk është në pajtim më Kushtetutën.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga u zgjodh në këtë post më shtatë prill të vitit 2011, pas një marrëveshjeje ndërmjet udhëheqësve të Partisë Demokratike, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës Kosova e Re, të lehtësuar nga ish ambasadori amerikan në Prishtinë, Christopher Dell. Marrëveshja e arritur në prill të vitit të kaluar përfshinte edhe pajtimin për ndryshimin e kushtetutës dhe reformimin e sistemit zgjedhor, me çka presidenti në të ardhmen do të zgjidhet me vota të drejtpërdrejta.

Zyrtarë të Partisë Demokratike të Kosovës, që drejtohet nga kryeministri Hashim Thaçi thanë se largimi i Lidhjes Demokratike nga komisioni është lajm i keq në kohën kur Kosova është në fazën e përmbylljes së pavarësisë së mbikëqyrur.

Por, zyrtarë të Lidhjes Demokratike thonë se ndryshimet kushtetuese që lidhen me mbikëqyrjen e pavarësisë dhe ato që janë pjesë e marrëveshjes politike për presidenten duhet parë si të ndara.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese u mbështet nga udhëheqësit më të lartë të Kosovës dhe përfaqësuesit ndërkombëtarë që bënë thirrje për respektim të vendimeve të Gjykatës, një praktikë tashmë e sprovuar në Kosovë.
XS
SM
MD
LG