Lidhje

Kërkohet shkarkimi i drejtorit të KEK-ut


Qeveria e Kosovës kërkoi sot shkarkimin e drejtorit të Korporatës Energjetike pas konstatimit të gabimeve në faturat e energjisë që çuan në protesta

Autoritetet në Kosovë kërkuan sot shkarkimin e drejtorit ekzekutiv të Korporatës Energjetike të Kosovës, Arben Gjuka, pas pakënaqësive të qytetarëve me faturat e energjisë elektrike.

Vendimi u bë i ditur nga Ministri i Zhvillimit Ekonomik Besim Beqaj, në seancën e sotme të parlamentit të Kosovës, i cili debatoi situatën e krijuar që nxiti edhe protesta të qytetarëve.

Ai tha se komisioni i ministrave për ndërmarrje publike, kërkon nga Bordi i Drejtorëve të Korporatës Energjetike të shkarkojë drejtorin Gjuka, meqë vlerësimet e bëra nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë, dëshmojnë se janë bërë gabime në leximin e njehsorëve elektrikë, gjë që ka çuar në shtrenjtimin e faturave të energjisë, duke nxitur reagimet e qytetarëve.

Korporata Energjetike në fillim të muajit pezulloi disa drejtues të sistemit të furnizimit me energji elektrike në rajonin e Prishtinës, ndërsa u zotua se çdo gabim që ka ndodhur do të përmirësohet dhe se nuk bëhet fjalë për fryrje të çmimit të faturave.

Furnizimi i qytetarëve të Kosovës me energji elektrike është një nga problemet e rënda të pasluftës. Sistemi i vjetruar e i mbajtur keq për një kohë të gjatë nuk siguron dot furnizimin të mjaftueshëm.

Kosova planifikon ndërtimin e një termocentrali të ri dhe deri tash katër konsorciume të mëdha botërore në të cilat mbizotërojnë kompanitë amerikane janë përzgjedhur për të hyrë në garën për ndërtimin e këtij projekti.
XS
SM
MD
LG