Lidhje

Ligjëvënësi Engel vlerëson tolerancën ndërfetare në Kosovë


Anëtari i Kongresit Eliot Engël tha të mërkurën se shumë vende mund të marrin mësim nga Kosova se si shumica tregon respekt, nxitë tolerancën dhe mbron pakicat.

Ligjvënësi amerikan, Eliot Engel e cilësoi Kosovën si një shembull të tolerancës ndërfetare. Ai i bëri këto komente gjatë një takimi me zëvendësministrin e jashtëm të Kosovës, Petrit Selimi, si dhe udhëheqësit fetarë dhe ekipin e nismës për Dialog Ndërfetar.

Zoti Engel citohet të jetë shprehur në mbështetje të angazhimeve dhe nismave për kultivimin e dialogut ndërfetar në Kosovë. Sipas tij, “Kosova është shtet që mund t’i tregojë botës se nuk ka nevojë të frikësohet nga shumica myslimane”. Madje, ai ka thënë se “shumë vende mund të marrin mësim se si shumica tregon respekt, promovon tolerancën dhe mbron pakicën”.

Zoti Engel i ka shprehur mirënjohje edhe nismës për vendosjen e pllakës përkujtimore për hebrenjtë që pësuan gjatë Holokaustit nëpër kampet e përqendrimit në Gjermani dhe pjesë të tjera të Evropës, si dhe për të nderuar hebrenjtë që kanë jetuar dhe vazhdojnë të jetojnë në Kosovë.

Zoti Engel i cili po qëndron për një vizitë pesë ditëshe në Kosovë, po takohet me zyrtarë qeveritarë dhe përfaqësues të institucioneve të tjera të Kosovës.

Të martën ai tha se themelimi i Gjykatës së Posaçme për krime lufte nga institucionet e Kosovës do të jetë zgjidhja më e mirë, ndërsa siguroi mikpritësit e tij për vazhdimin e mbështetjes amerikane ndaj Kosovës.

Zoti Engel, është anëtar i Dhomës Përfaqësuese të Kongresit të Shteteve të Bashkuara, demokrat nga Nju Jorku. Ai njihet si mbështetës i fuqishëm i çështjes shqiptare në Ballkan e posaçërisht i çështjes së Kosovës.

Përfaqësuesit e institucioneve dhe organizatave joqeveritare thonë se zoti Engël, është një mik i vërtet e shqiptarëve në kongresin Amerikan për më shumë se 25 vjet dhe gjatë kësaj kohe luajti një rol me rëndësi në të gjitha proceset që çuan në çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës.

XS
SM
MD
LG