Lidhje

Kosovë: Pezullime në KEK


Korporata Energjetike pezulloi disa punonjës pas shqetësimeve të qytetarëve për fryrje faturash, opozita dhe OJQ-të thonë se këto janë veprime të pamjaftueshme.

Korporata Energjetike e Kosovës, vendosi pezullimin nga puna të drejtuesve të sistemit të furnizimit me energji elektrike në rajonin e Prishtinës, në lidhje me shqetësimet e ngritura nga qytetarët për faturat e energjisë elektrike, të cilat ata thonë se janë shumë të fryra.

Vendimi pasoi një kërkesë të komisioni qeveritar të ndërmarrjeve publike për tejkalimin e gjendjen e krijuar pas protestave të qytetarëve dhe më kërkesën për korrigjim të faturave.

Vendimi i sotëm u kundërshtua nga Lidhja Demokratike e Kosovës e cila vlerëson se pezullimet janë përpjekje për siç thuhet, mashtrim të opinionit.

Grupe qytetarësh protestuan edhe sot para selisë së Korporatës Energjetike të Kosovës për të kërkuar rishqyrtimin e faturave të energjisë elektrike, të cilat ata thonë se janë shumë të fryra, ndërsa pezullimet i cilësuan si veprime të pamjaftueshme.

Korporata Energjetike pret që deri më 8 mars të përmbyllë procesin e rishqyrtimit të të gjitha ankesave të qytetarëve për faturat e energjisë elektrike.

Furnizimi i qytetarëve të Kosovës me energji elektrike është një nga problemet e rënda të pasluftës. Sistemi i vjetruar e i mbajtur keq për një kohë të gjatë nuk siguron dot furnizimin të mjaftueshëm.

Kosova planifikon ndërtimin e një termocentrali të ri dhe deri tash katër konsorciume të mëdha botërore në të cilat mbizotërojnë kompanitë amerikane janë përzgjedhur për të hyrë në garën për ndërtimin e këtij projekti.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG