Lidhje

Eliot Engel në Parlamentin e Kosovës


Ligjvënësi amerikan, Eliot Engel tha sot se para Kosovës ndodhen mjaft sfida të vështira që duhet të përmbushen, ndërsa bëri thirrje që këto të zgjidhen nga institucionet e vendit. Ai i bëri këto komente gjatë një seance solemne të Parlamentit të Kosovës, për të shënuar 25 vjetorin e miratimit të deklaratës Kushtetuese të Kosovës. Zoti Engel, që po qëndron në një vizitë disa ditëshe në Kosovë, u bëri thirrje institucioneve që të krijojnë Gjykatën e Posaçme e cila do të trajtojë pretendimet për krime lufte.

Engel: Te votohet Gjykata e Posacme
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:24 0:00

“Mënyra se si e shoh gjendjen dhe e di që është një vendim i vështirë, nuk është cështja nëse do të ketë Gjykatë të Posaçme apo jo. Për mua cështja është se a do të ketë gjykatë të Posaçme apo do të jetë Gjykatë e Kombeve të Bashkuara sepse unë besoj që nëse nuk do të ketë Gjykatë të Posaçme, Kombet e Bashkuara do të kenë gjykatë”, tha zoti Engel duke nënvizuar se një gjykatë e krijuar nga Kombet e Bashkuara nuk do të ishte e mirë për Kosovën.

“Unë nuk besoj se Kombet e Bashkuara do të kenë trajtim të drejtë kur është në pyetje Kosova dhe unë besoj që ajo do të jetë alternativa për Gjykatën e Posaçme, nëse nuk formohet. Besoj që do të jetë gjykatë e Kombeve të Bashkuara dhe mendoj se kjo do të jetë problem i madh për Kosovën”, tha ai duke nënvizuar se si një mik i Kosovës e ndjen detyrim të shpjegojë këtë çështje.

Ligjvënësi Engel bëri thirrje ndërkaq që Kosova të vazhdojë fuqizimin e saj të brendshëm duke zhvilluar ekonominë dhe sundimin e ligjit.

“Ka shumë çështje dhe gjëra që duhet të bëhen. Dje jam takuar me gjykatës dhe sundimi i ligjit është shumë i rëndësishëm, luftimi i korrupsionit është i rëndësishëm dhe ka gjëra që duhet të bëhen këtu me ekonominë dhe kjo është e rëndësishme”, tha zoti Engel.

Ai tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë të jenë partneri kryesor i Kosovës në rrugën e saj drejt integrimeve euro-atlantike.

“Nuk ka arsye që Kosova të mbetet jashtë Bashkimit Evropian, nuk ka arsye që të mos ketë liberalizim të vizave dhe kjo duhet të ndodhë”, tha zoti Engel.

Zoti Engel, është anëtar i Dhomës Përfaqësuese të Kongresit të Shteteve të Bashkuara, demokrat nga Nju Jorku. Zoti Engel, njihet si mbështetës i fuqishëm i çështjes shqiptare në Ballkan e posaçërisht i çështjes së Kosovës. Përfaqësuesit e institucioneve dhe organizatave joqeveritare thonë se zoti Engël, është një mik i vërtet e shqiptarëve në kongresin Amerikan për më shumë se 25 vjet dhe gjatë kësaj kohe luajti një rol me rëndësi në të gjitha proceset që çuan në çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës.

Në seancën e sotme ai u tha deputetëve se në Kosovë, ndjehet sikur në shtëpi. Ai kujtoi se për Kosovën kishte mësuar në një takim me mikun e tij Harry Bajraktari.

Ai takim e ndryshoi jetën time, por besoj edhe jetët e shumë prej jush, meqë sa më shumë kam dëgjuar për padrejtësitë që ndodhnin atëbotë, aq më shumë kam dashur të jem pjesë e luftës për lirinë dhe demokracinë e këtij vendi të mrekullueshëm. Shume vjet kam folur në Washington e New York për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. U kam thënë të gjithëve që kanë dashur të dëgjojnë se do ta kemi Kosovën e lirë e të pavarur dhe ja ku jam sot në Kosovën e lirë dhe të pavarur“.

Ai tha se shumëkush kishte dyshuar në këtë, duke kujtuar periudhën kur kishte dashur të ndiqte zgjedhjet e shqiptarëve të Kosovës gjatë viteve të 90-ta.

Më ndaluan në kufi. Nuk donin të më linin. Millosheviçi kishte thënë se jam problem. Mbajta konferencë për shtyp në kufirin ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë. I kisha humbur syzet dhe nuk shihja gjë, por fola nga zemra. Thashë se dua të hyjë në Kosovë, por Millosheviçi nuk më lë. Por, thashë se kam një lajm për të. Një ditë do të jemi të gjithë në Kosovën e lirë dhe të pavarur dhe atëherë atij nuk do t’i lejojmë të hyjë“, tha zoti Engel.

Në ditën e sotme të vitit 1990, parlamenti i atëhershëm i Kosovës, miratoi në gjendje shtetrrethimi, një deklaratë të posaçme kushtetuese për Kosovën si njësi e pavarur dhe e barabartë në federatën e atëhershme jugosllave, e cila u bë e njohur si deklarata e pavarësisë.

Tri ditë më pas autoritetet serbe shpërndanë Parlamentin e Kosovës dhe mbyllën mjetet kryesore të informimit në Kosovë. 25 vjet më pas, Kosova ka hyrë në vitin e tetë të pavarësisë së saj të njohur nga mbi 100 vende të botës.

Dy korriku edhe sot e kësaj dite cilësohet si një nga ngjarjet me të rëndësishme që shënuan kthesë historike në përpjekjet e Kosovës për pavarësinë e saj.

XS
SM
MD
LG