Lidhje

Javën e ardhshme miratohet mandati i EULEX-it


Parlamenti i Kosovës pret që në seancën e javës së ardhshme bashkë me EULEX-in të votohet edhe për gjykatën e posaçme për krime të luftës

Parlamenti i Kosovës do të votojë javën që vjen për zgjatjen e mandatit të Misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit, ndërsa ende nuk është përcaktuar se kur do të diskutohet themelimi i një gjykate të posaçme për trajtimin e pretendimeve për përfshirjen e drejtuesve të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në krime lufte.

Të premten, shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, i është përgjigjur ftesës së presidentes së Kosovës Atifete Jahjaga për të vazhduar zbatimin e mandatit të EULEX-it në Kosovë.

Ne letrën e zonjës Ashton thuhet se “përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian dhe EULEX-i do të vazhdojnë t’u ndihmojnë institucioneve, autoriteteve gjyqësore dhe agjencive të zbatimit të ligjit në Kosovë në forcimin e mëtutjeshëm të sistemit të pavarur shumë-etnik të drejtësisë dhe shërbimit shumë-etnik policor në përparimin e tyre drejt plotësimit të standardeve evropiane në fushat e tyre përkatëse. Përveç kësaj, puna e grupit punues të EULEX-it për hetime dhe çfarëdo procedure gjyqësore që burojnë nga ajo, do të vazhdojë deri sa Këshilli i Bashkimit Evropian të njoftojë Kosovën që hetimet dhe procedurat përkatëse janë përmbyllur”, thuhet në letër.

Parlamenti i Kosovës vendosi që të mërkurën me 23 prill të hidhet për miratim vazhdimi i mandatit të EULEX-it, ndërsa la të hapur mundësinë që në seancë të hidhet edhe çështja e gjykatës. Kryetari i Parlamentit, Jakup Krasniqi tha se në kryesinë e Parlamentit u dërgua pakoja e ndryshimeve ligjore të miratuara nga qeveria për vazhdimin e mandatit të EULEX-it.

Kanë mosmarrëveshje si duket me presidenten se kush duhet ta sjellë ligjin për ratifikimin e marrëveshjes, por ne në Kuvend nuk e kemi”, tha zoti Krasniqi.

Zëdhënësi i presidentes së Kosovës, Arbër Vllahiu tha se “letërkëmbimi ndërmjet presidentes Jahjaga dhe baroneshës Ashton është përcjellë tek kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi dhe kryetari i parlamentit, Jakup Krasniqi. Marrëveshja, që bëhet pas përfundimit të letërkëmbimit, dërgohet nga Qeveria në Parlamentin e Kosovës për procedim të mëtejmë”.

Presidentja Jahjaga dhe kryeministri Thaçi në një takim kanë diskutuar, sic thuhet, nevojën për arritjen e konsensusit shoqëror dhe politik për proceset e rënda, por të domosdoshme për të siguruar që Kosova i përmbush detyrimet e saj në fushën e drejtësisë.

Në një njofitm thuhet se “presidentja Jahjaga dhe kryeministri Thaçi vlerësuan se sado i rëndë të jetë i gjithë ky proces do të përqendrohet në individë dhe veprime individuale dhe nuk është gjykim i përpjekjeve kolektive të popullit për çlirim dhe pavarësi”.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i bëri thirrje Parlamentit të votojë këtë gjykatë ndonëse e cilësoi atë një fyerje për Kosovën.

Gjykata e posaçme dhe vazhdimi i mandatit të EULEX-it, ishin pjesë e bisedimeve të qeverisë së Kosovës, përgjatë disa muajve me Bashkimin Evropian, që, siç thonë zyrtarë ndërkombëtarë, do të ndihmojë në vendosjen e sundimit të ligjit dhe do të trajtojë pretendimet e ngritura në raportin e të dërguarit të Këshillit të Evropës Dick Marty.

Gjykata, hollësitë e veprimit të së cilës ende nuk janë të qarta, do të veprojë në kuadër të ligjeve të Kosovës, por pjesa më e madhe e punës së saj do të kryhet jashtë Kosovës, me gjasë në Holandë. Kjo, sipas zyrtarëve ndërkombëtarë do të ndihmojë mbrojtjen e dëshmitarëve. Prokurorët dhe gjykatësit do të jenë ndërkombëtar.

Pretendimet e zotit Marty po hetohen që nga vitit 2011 nga një grup punues i kryesuar nga prokurori amerikan Clint Wlliamson, raporti i të cilit me të gjeturat pritet të bëhet publik në muajin qershor.

Ndonëse, nuk shihet me sy të mirë nga asnjë forcë politike në Kosovë, miratimi i gjykatës së posaçme kundërshtohet prerazi nga lëvizja Vetëvendosje. Megjithatë pritet që miratimi të ndodhë në parlament, për të shmangur atë që është cilësuar si veprim më i dëmshëm për Kosovën, themelimin e gjykatës nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara.

Votimi në parlamentin e Kosovës i ligjeve të dorëzuara nga qeveria për mandatin e EULEX-it dhe krijimin e gjykatës së posaçme, do të shënojë, sipas të gjitha gjasave edhe fundin e mandatit të këtij parlamenti. Përfaqësues politikë thonë se pas këtij votimi, parlamenti mund të vendosë menjëherë për shpërndarjen e tij, duke i hapur rrugë zgjedhjeve parlamentare, me gjasë në fund të muajit maj ose që në fillim të qershorit.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG