Lidhje

Hahn: Jo liberalizim vizash pa shënimin e kufirit me Malin e Zi

  • Leonat Shehu

Komisionari i Bashkimit Evropian për Politika të Fqinjësisë dhe Negociata për Zgjerim, Johannes Hahn, u bëri thirrje partive politike në Kosovë që të bashkëpunojnë në rrugën evropiane të vendit ndërsa tha se pa ratifikimin e marrëveshjes për shënimin e kufirit me Malin e Zi, nuk do të ketë liberalizim vizash. Ai I bëri këto komente gjatë qëndrimit në Kosovë, ku mblodhi bashkë partitë politike në qeveri dhe opozitë. Komisionari Hahn tha pas takimit se ende duhet të punohet më partitë politike për të arritur një pajtim për çështjet e hapura.

Isha shumë i qartë për mbajtjen e momentit që e kemi arritur në muajt e fundit në lidhje me ardhmërinë evropiane. Në demokraci është e domosdoshme që të ketë kompromis dhe një kompromis i mirë ka të bëjë me palët e ndryshme që japin diçka të re për të pasur një rezultat të përbashkët, që do të thotë se të gjithë mund të gjejnë vetën në rezultatin përfundimtar”, tha zoti Hahn.

Ai tha se opozita ka shprehur shqetësimet për kushtet e vëna nga Komisioni Evropian për liberalizimin e vizave, por sipas tij kushtet janë të qarta dhe duhet të përmbushen.

Kanë qenë shqetësimet e njohura në lidhje me shënimin e kufirit, unë isha shumë i qartë se pa një zgjidhje nuk do të ketë liberalizim të vizave. Në qoftë se do të ketë diskutime tjera kjo mund të ndodhë, por isha shumë i qartë për kushtet dhe është e domosdoshme të vazhdohet më tutje”, tha zoti Hahn duke nënvizuar se u ka bërë thirrje partive politike që të marrin pjesë në mënyrë konstruktive dhe demokratike në zhvillimin e mëtejshëm të vendit.

Ne jemi të gatshëm të ndërmjetësojmë dhe ndihmojmë por në fund vendimet duhet të merren nga autoritetet këtu në Kosovë dhe kjo është pjesë e zhvillimit dhe vendosjes së Kosovës së fortë”, tha zoti Hahn.

Komisioni Evropian i ka propozuar Këshillit të Bashkimit Evropian dhe Parlamentit Evropian heqjen e vizave për Kosovën por ka kërkuar nga autoritetet në Kosovë rezultate më të prekshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe ratifikimin e marrëveshjes për shënimin e kufirit me Malin e Zi.

Por, kjo e fundit po kundërshtohet nga partitë opozitare, të cilat e kanë cilësuar të padrejtë. Opozita po vazhdon bojkotimin e seancave të parlamentit, vetëm në rastet kur në Kosovë po qëndrojnë zyrtarë të lartë të vendeve perëndimore.

Opozita megjithëse e ndarë po vazhdon kundërshtimin e marrëveshjeve me Serbinë dhe Malin e zi dhe për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme. Por, këto zgjedhje sipas udhëheqësve të koalicionit qeveritar nuk do të mund të mbahen para qershorit 2018, kur janë të parapara me kalendarin zgjedhor.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG