Lidhje

Ashton: Bisedimet Kosovë-Serbi, proces i vështirë


Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian Catherine Ashton, tha sot se llogaritë në mbështetjen e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për procesin e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.

Gjatë paraqitjes vjetore në Këshillin e Sigurimit, ajo vuri theksin në punën që po bën më ndërmjetësimin e procesit të bisedimeve që, sipas saj, tashmë po japin frytet e tyre.

Deri tani, kjo ka çuar deri tek rezultatet konkrete. Kemi marrëveshjen për të çuar përpara zbatimin e menaxhimit të përbashkët të kufirit dhe tani të gjitha vendkalimet janë të hapura dhe funksionale. Kemi një marrëveshje për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore e fetare. Kemi një marrëveshje për zyrtarët e ndërlidhjes që do të jenë në zyrat e Bashkimit Evropian në Beograd dhe në Prishtinë”.

Ajo e cilësoi hap shumë të rëndësishëm takimin e javës së kaluar ndërmjet presidentes së Kosovës Atifete Jahjaga dhe presidentit të Serbisë Tomislav Nikoliç në Bruksel, që ishte takimi i parë i atij niveli që kur Kosova shpalli pavarësinë e saj më 17 shkurt të vitit 2008.

Zonja Ashton tha se procesi do të vazhdojë javën e ardhshme kur mbahet takimi i ri ndërmjet kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë Hashim Thaçi e Ivica Daçiç.

Dua të shfrytëzojë këtë mundësi që të përgëzojë kryeministrin Daçiç dhe kryeministrin Thaçi për qasjen ndaj këtyre diskutimeve dhe kurajën që kanë dëshmuar me këtë. Nuk është proces i lehtë për asnjërin prej tyre. Por ata kanë mbështetjen tonë dhe llogarisë në mbështetjen e këtij Këshilli”, tha zonja Ashton.

Të dy kryeministrat pritet të takohen më 19 dhe 20 shkurt në Bruksel për të diskutuar situatën në veri dhe rrugët e shpërbërjes apo transformimit të strukturave të mbështetura nga Beogradi.

Takimi i javës së ardhshme vlerësohet si hyrje në periudhën më të rëndësishme të bisedimeve që brenda disa javësh duhet të çojnë në një marrëveshje kuadër për veriun e banuar me shumicë serbe, ku nuk njihen dhe nuk pranohen institucionet e Prishtinës.

Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës, që është njohur nga mbi 90 vende të botës, por është pajtuar të angazhohet në bisedime për normalizimin e marrëdhënieve meqë kjo është kusht për rrugëtimin e saj drejt integrimeve evropiane.

Diplomatët i kanë kërkuar Serbisë që të shpërbëjë strukturat e saj të sigurisë në veriun e Kosovës si kusht që të marrë datën për fillimin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Prishtina zyrtare e cila synon integrimet evropiane, shpreson që në fund të marrë datën për fillimin e negociatave për marrëveshjen e stabilizim asocimit me Bashkimin Evropian.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG