Lidhje

BE-ja fillon vendosjen e vëzhguesve për zgjedhjet e 11 qershorit në Kosovë


Rreth 100 të dërguar të Bashkimit Evropian do të vëzhgojnë zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 qershorit në Kosovë. Në një njoftim të Misionit vëzhgues të BE-së thuhet se një ekip themelor prej shtatë analistëve të zgjedhjeve tashmë ndodhet prej ditësh në Kosovë dhe do të qëndrojë deri në përfundim të procesit zgjedhor, për të bërë një vlerësim gjithëpërfshirës të procesit.

Atyre tashmë u janë bashkuar edhe 16 vëzhgues, të cilët do të shpërndahen në gjithë Kosovën. Ndërkaq, për javën e zgjedhjeve, nga 7 qershori, do të shtohen edhe 32 vëzhgues. Në ditën e zgjedhjeve, misioni do të përforcohet edhe nga një delegacion i Parlamentit Evropian dhe nga diplomatë nga shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, të akredituar në Kosovë.

Në njoftim thuhet se misioni pasoi kërkesën e presidentit të Kosovës pë vëzhgimin e zgjedhjeve.

Pas zgjedhjeve komunale të vitit 2013 dhe atyre parlamentare të vitit 2014, kjo është hera e tretë që BE-ja vendosë një mision të plotë për vëzhgimin e zgjedhjeve në Kosovë, 'që pasqyron angazhimin e BE-së për mbështetjen e zgjedhjeve të besueshme, transparente dhe gjithëpërfshirëse në kuadër të procesit të reformimit në Kosovë', thuhet në njoftim.

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, ka emëruar zotin Alojz Peterle, anëtar i Parlamentit Evropian, në krye të këtij misioni.

Zgjedhjet e parakohshme më 11 qershor do të jenë një mundësi e re për qytetarët e Kosovës për të shprehur vullnetin e tyre politik. Nën udhëheqjen e shefit të misionit Alojz Peterle, kam besim se Misioni i Bashkimit Evropian për Vëzhgimin e Zgjedhjeve do të japë një kontribut të rëndësishëm për forcimin e mëtejmë të institucioneve demokratike të Kosovës. Kjo konfirmon mbështetjen e BE-së për qeverisjen demokratike të Kosovës. Ne presim që të gjitha partitë politike, udhëheqësit dhe institucionet e Kosovës të sigurojnë që këto zgjedhje të rëndësishme, përfshirë fushatën zgjedhore, të organizohen në përputhje me standardet demokratike evropiane”, citohet të ketë thënë zonja Mogherini.

Misioni pritet që brenda 48 orësh pas zgjedhjeve të 11 qershorit të hartojë një raport paraprak të të gjeturave, ndërsa pas përfundimit të procesit të hartojë raportin përfundimtar bashkë me rekomandimet.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG