Lidhje

Debate në Bruksel për EULEX-in


Shefja e politikës së jashtme të BE-së Federika Mogherini kërkon hetim të plotë mbi dyshimet për korrupsion në radhët e EULEX-it. Çështja debatohet edhe në komisionin për punë të jashtme të Parlamentit Evropian

Shefja e re e politikës së jashtme dhe sigurisë së Bashkimit Evropian Federika Mogherini, kërkon që dyshimet për korrupsion në radhët e misionit evropian për sundimin e ligjit në Kosovë, të trajtohen me transparencë maksimale. Qëndrimet e saj që u transmetuan nga zëdhënësja Maja Kocijançiç, pasuan shtimin e thirrjeve edhe nga zyrtarë të lartë të parlamentit evropian për hetimin e plotë të dyshimeve të hedhura mbi zyrtarë të EULEX-it.

Zyrtarët e këtij misioni thanë javën e kaluar se janë duke hetuar dyshimet e publikuara në një seri shkrimesh të së përditshmes Koha Ditore se zyrtarë të tij mund të kenë marrë para në këmbim të lirimit të disa të akuzuarve për vepra penale, përfshirë një rast të vrasjes së trefishtë. Zyrtarë të EULEX-it besojnë se dokumentet kanë rrjedhur nga prokurorja britanike e këtij misioni Maria Bamieh, e cila është pezulluar nga puna dhe ndaj saj thuhet se ka filluar një proces i hetimeve administrative.

Zëdhënësja e shefes së politikes së jashtme të Bashkimit Evropian, tha se takimi i parë i zonjës Mogherini të hënën kishte të bënte me këtë çështje.

Ajo e bëri shumë të qartë se dëshiron të merret më ketë çështje me transparencë të plotë sepse beson se është në interesin tonë të sqarojë të gjitha hollësitë rreth kësaj çështjeje. Ajo është duke marrë në shqyrtim të gjitha masat për t’u përballur me këtë në formë transparente dhe në mënyrën që do të ruajë besueshmërinë e misionit”, tha zonja Kocijançiç.

Kërkesave për hetime të brendshme u janë bashkuar të hënën edhe një grup i madh i organizatave joqeveritare në Kosovës, ndërsa në orët e mbrëmjes edhe komiteti për punë të jashtme i Parlamentit Evropian diskuton çështjen me zyrtarë të Bashkimit Evropian.

Zyrtarët e EULEX-it thanë se dyshimet e hedhura nga zonja Bamieh, janë shqyrtuar në tërësi që nga viti 2013. Ajo ka hedhur dyshime se gjykatësi i këtij misioni Francesco Flori, ka marrë 300 mijë euro për të hedhur poshtë akuzat për vrasje. Gjykatësi Flori ka mohuar një gjë të tillë, ndërsa Bashkimi Evropian i ka hequr pjesërisht imunitetin zotit Flori për të mundësuar përparimin e hetimeve, ndërkaq ka dërguar në Kosovë një zyrtar të lartë të misioneve civile që në bashkëpunim me shefin e EULEX-it të analizojë situatën e krijuar pas pohimeve për korrupsion brenda misionit.

Zyrtarë të EULEX-it besojnë se megjithatë, zhvillimet e fundit nuk do të dëmtojnë imazhin e as besimin e misionit.

Misioni i EULEX-it, u vendos në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë së saj nga Serbia në shkurt të vitit 2008. Misioni ruan ende fuqi ekzekutive dhe trajton rastet e krimeve te luftës por edhe krimin e organizuar dhe korrupsionin në rastet që vlerësohen me të ndjeshme për t’u trajtuar nga prokurorët dhe gjykatësit vendas.

XS
SM
MD
LG