Lidhje

Fule: Marrëveshjet me Serbinë mundësojnë MSA-në


Komisionari për zgjerim i BE-së Stefan Fule tha se marrëveshjet me Serbinë i mundësojnë Kosovës negociatat për marrëveshjen e stabilizim asocimit

Komisionari për zgjerim i Bashkimit Evropian Stefan Fule tha sot në Prishtinë se marrëveshjet me Beogradin do t’i mundësojnë Kosovës hapjen e negociatave për marrëveshjen e stabilizim asocimit me Bashkimin Evropian.

Ai kërkoi më shumë përpjekje në fushën e sundimit të ligjit, në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, në reformën zgjedhore dhe zhvillimin ekonomik dhe se vazhdimi i reformave dhe përmirësimi i marrëdhënieve janë dy anët e së njëjtës medalje.

Zoti Fule i bëri këto komente gjatë takimeve që zhvilloi në Prishtinë, një ditë para të raundit të radhës së bisedimeve ndërmjet kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi e Ivica Daçiç.

Ditët dhe javët në vazhdim do të jenë thelbësore për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Një marrëveshje e mundshme me Beogradin nesër dhe zbatimi në terren, do të hapte rrugën për një vendim pozitiv të Komisionit Evropian në qershor për negociatat mbi marrëveshjen e stabilizim asocimit”, tha zoti Fule.

Ai tha se kryeministri Hashim Thaçi ka bërë shumë punë për të arritur në këtë çast dhe tani ka nevojë për mbështetje nga të gjithë. “Të jesh evropian nënkupton të jesh i gatshëm për kompromis dhe konsensus”, tha ai, duke bërë thirrje për bashkim dhe mbështetje të procesit të bisedimeve.

Zoti Fule erdhi në Prishtinë nga Beogradi, ku të hënën u tha udhëheqësve serb se data e fillimit të negociatave për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian, varet nga përparimi në bisedimet me Kosovën.

Në Prishtinë ai mori zotimin e përfaqësuesve politikë për mbështetjen e procesit.
Stefan Fule gjatë vizitës në Prishtinë
Stefan Fule gjatë vizitës në Prishtinë

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga dhe zëvendëskryeministri Hajredin Kuci thanë se Prishtina do të vazhdojë të luaj rol konstruktiv, e bindur se bisedimet janë mënyra e vetme për të normalizuar marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve dhe për ndërtimin e paqes e qëndrueshmërisë në rajon.

Ne jemi përkushtuar që në këtë dialog të gjejmë zgjidhje të pranueshme, për vendet dhe popujt, për të gjithë qytetarët, zgjidhje sipas normave dhe standardeve më të larta evropiane. Zgjidhje të qëndrueshme dhe të vullnetshme, që do të zbatohen me sukses”, tha presidentja Jahjaga.

Në emër të Qeverisë së Kosovës i shpreha gatishmërinë Qeverisë së Republikës së Kosovës, që nesër të jemi konstruktiv në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, që Qeveria e Republikës, respektivisht kryeministri, do të shkoj me vullnet që të arrij marrëveshjen në mes të dy vendeve tona, me qëllimin tonë më të mirë, që të kemi paqe, stabilitet dhe normalizim të raporteve në mes të dy vendeve tona. Natyrisht, do të kemi gjithmonë parasysh respektimin e sovranitetit të Kosovës, tërësisë territoriale, Kushtetutës dhe rendit juridik të vendit tonë”, tha zv/kryeministri Kuçi.

Protestë kundër bisedimeve me Serbinë

Disa qindra qytetarë morën pjesë ndërkaq në një protestë të organizuar nga Lëvizja për Bashkim kundër bisedimeve me Serbinë. Udhëheqësi i kësaj lëvizjeje Avni Klinaku tha se problemet reale të Kosovës janë spastrimi etnik i pjesës veriore të Mitrovicës dhe çështja e të drejtave të shqiptarëve të Kosovës Lindore të mbetur nën Serbi.
Protestë kundë biseidmeve Kosovë - Serbi
Protestë kundë biseidmeve Kosovë - Serbi

Prandaj ne kërkojmë që bisedimet të ndërpriten urgjentisht dhe Kosova e bashkuar, i gjithë spektri politik bashkë me partitë politike të Kosovës Lindore ta hartojmë platformën tonë politike dh atë t’ia ofrojmë faktorit ndërkombëtar edhe bisedimeve dhe në atë platformë vendin kryesor duhet ta zënë problemet që vërtet e mundojnë Kosovën dhe ato janë padyshim Mitrovica e ndarë e cila duhet të bashkohet dhe Kosova Lindore e cila po vuan akoma në dhunën dhe presionin e pushtuesit serb”, ka theksuar Klinaku.

Prishtina dhe Beogradi thonë se po bëjnë përpjekje për afrimin e qëndrimeve, por ende nuk ka një marrëveshje për veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe, ku nuk njihen dhe nuk pranohen autoritetet e Prishtinës.

Prishtina thotë se pajtohet me krijimin e një asociacioni të komunave me shumicë serbe, por hedh poshtë çdo mundësi që ai të ketë fuqi ekzekutive. Beogradi kërkon krijimin e bashkësisë së komunave serbe që nuk do të kishte autoritet ligjvënës, por do të kishte pushtet ekzekutiv.

Zyrtarët evropian thonë se bisedimet ndodhen në një periudhë vendimtare dhe se të dyja palët duhet të angazhohen më shumë në arritjen e marrëveshjeve, që mund t’u sigurojnë të dyja palëve datat e negociatave, Serbisë për anëtarësim, ndërsa Kosovës për marrëveshjen e stabilizim asocimit.
XS
SM
MD
LG