Lidhje

Hahn:Migrimi i paligjshëm nga Kosova duhet të bjerë


Komisionari i BE-së për politikë të fqinjësisë dhe negocim të zgjerimit, Johannes Hahn, tha se qytetarët e Kosovës nuk mund të përfitojnë nga politikat e strehimit në vendet e BE-së

Komisionari Evropian për politikë të fqinjësisë dhe negocim të zgjerimit, Johannes Hahn tha të mërkurën në Prishtinë se zhvillimi ekonomik është kusht për pengimin e migrimit të paligjshëm, i cili ndikon edhe në procesin e liberalizimit të vizave. Ai i bëri këto komente gjatë një vizite në Kosovë, ku u takua me udhëheqësit më të lartë të vendit si dhe përfaqësues të shoqërisë civile dhe bizneseve. Ai tha se është në interesin e Bashkimit Evropian që Kosova të jetë vend anëtar, por për të arritur këtë duhet përmbushur detyrimet që dalin nga ky proces. Ai tha se Kosova dhe Bashkimi Evropian pritet të nënshkruajnë gjatë këtij viti marrëveshjen e stabilizim asocimit që është arritur vitin e kaluar, në mënyrë që ajo të hyjë në fuqi në fillim të vitit të ardhshëm. Komisionari Hahn tha se janë disa çështje themelore me të cilat duhet të përballet Kosova në procesin e integrimeve.

Zyrtari i BE-se ne Kosove
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:15 0:00

Së pari, sundimi i ligjit dhe të drejtat themelore si dhe demokracia funksionale. Zhvillimi i ekonomisë përfshirë luftën kundër papunësisë, posaçërisht në mesin e të rinjve. Kosova duhet të përmirësojë mjedisin e investimeve dhe të hapë tregun, të luftojë krimin e organizuar e korrupsionin dhe të reformojë administratën publike. Thelbësor është përparimi drejt një gjyqësie të pavarur dhe profesionale”, tha komisionari Hahn.

Ai vuri theksin te rëndësia që ka rimëkëmbja ekonomike për të penguar migrimin e parregullt të qytetarëve të Kosovës drejt vendeve të Bashkimit Evropian. Ai tha se është me rëndësi që udhëheqësit e Kosovës krahas forcimit te kontrollit të kufirit, t’u bëjnë thirrje qytetarëve që të mos nisen një rruge të tillë, ndërsa nënvizoi se masat që janë ndërmarrë nga vendet e Bashkimit Evropian kanë çuar në rënien e numrit të migruesve. Ai tha se migrimi ndikon edhe në procesin e liberalizimit të vizave.

Para se të propozojmë statusin e vendit pa viza, numri i kërkesave për strehim në vendet e Bashkimit Evropian dhe numri i atyre që qëndrojnë në mënyrë të parregullt në zonën Shengen, duhet të bjerë”, tha zoti Hahn.

Mikpritësi i tij, kryeministri Isa Mustafa tha se Kosova do të punojë me përkushtim për të krijuar kushte për jetesë më të mirë në vend dhe për të trajtuar migrimin e paligjshëm.

“Jemi të vetëdijshëm edhe lidhur me problemin që kemi të migrimeve të mëdha të qytetarëve të cilat kanë ndodhë veçmas në fund të vitit të kaluar dhe në fillim të këtij viti. Jemi të vetëdijshëm për peshën e këtij problemi. Jemi duke ndërmarrë masa përmes të gjitha ministrive që ne të ndalim këtë proces dhe të krijojmë kushte për kthimin e qytetarëve tanë të cilët kanë migruar në shtetet e Bashkimit Evropian. Ne jemi të gatshëm që t’i rikthejmë ata dhe po ashtu konsiderojmë që Kosova është një shtet stabil është shtet i sigurt për qytetarët tanë dhe ne marrim përgjegjësi që të sigurojmë kushte të punës dhe kushte të jetesës për ta, në vendin tonë”, tha kryeministri Mustafa.

Zoti Hahn tha se Kosova duhet të vazhdojë të punojë për trajtimin e gjetjeve të grupit hetues të Bashkimit Evropian lidhur me pretendimet për përfshirjen e pjesëtarëve të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në krime lufte, pavarësisht sa sfiduese mund të jenë ato.

Ajo duhet të ndryshojë kushtetutën dhe të miratojë ligjet që mundësojnë ngritjen e Gjykatës së posaçme sa më shpejt që është e mundur”, tha komisionari Hahn.

Ai i cilësoi të rëndësishme bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Mendoj se këto bisedime me Serbinë mbeten thelbësore për ardhmërinë evropiane të Kosovës dhe normalizimi i marrëdhënieve duhet të jetë përkushtim thelbësor për muajt dhe vitet në vazhdim”, tha ai duke bërë thirrje për zbatimin e marrëveshjeve të arritura sikurse edhe arritje të marrëveshje të reja, pavarësisht sa sfiduese mund të duken ato.

Zoti Hahn tërhoqi vëmendjen se Bashkimi Evropian pranon vetëm ata anëtarë të rinj që i kanë të zgjidhura problemet e tyre të brendshme dhe ato rajonale.

XS
SM
MD
LG