Lidhje

Mogherini në Kosovë - kufiri me Malin e Zi e pastaj liberalizimi


Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, u bëri thirrje udhëheqësve politik të Kosovës që të arrijnë një pajtim rreth marrëveshjes për shënimin e kufirit me Malin e Zi dhe të hapin rrugën për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Zonja Mogherini takoi të shtunën udhëheqësit e institucioneve dhe partive politike në Kosovë për të diskutuar situatën në vend dhe në rajon në dritën e zhvillimeve të muajve të fundit që u përshkuan me tensione në Ballkanin perëndimorë.

Ajo tha pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa se propozimi i Komisionit Evropian vitin e kaluar për vizat ka qenë i qartë. Kanë qenë dy kushte te qarta.

"E pari, që Kosova të përmirësojë të dhënat për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe në këtë ka pasur përparim. Dhe i dyti që Kosova të ratifikojë marrëveshjen për shënimin e kufirit me Malin e Zi, ku për fat të keq nuk ka pasur përparim që nga vizita ime vitin e kaluar", tha ajo.

Dua ta them qartë, nuk besoj që duhet ta them zëshëm, meqë numri i medieve të pranishme janë garanci se kjo do të dëgjohet, tash është koha është për të ecur përpara, që do të thotë koha për të votuar ratifikimin e marrëveshjes me Malin e Zi", tha zonja Mogherini, duke nënvizuar se "është në duart e partive politike për të arritur një pajtim që do të mundësonte që marrëveshja të ratifikohet pasi që qytetarët e Kosovës e meritojnë liberalizimin e vizave".

Por, edhe pas takimit me zonjën Mogherini, partitë opozitare nuk dhanë shenja se kanë ndryshuar kundërshtimin e tyre ndaj kësaj marrëveshjeje, që sipas opozitës, e dëmton Kosovën për mbi 8 mijë hektarë toke.

Zonja Zonja Mogherini ndërmjetëson bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të cilat u përfshinë në një valë tensionesh të larta politike në fillim të vitit 2017.

Gjatë dy muajve të kaluar ajo në dy raste mblodhi në Bruksel udhëheqësit më të lartë të të dyja vendeve për të ulur tensionet dhe për të siguruara vazhdimin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës që hyri në vitin e dhjetë të pavarësisë dhe Serbisë që vazhdon të kundërshtojë shtetësinë e saj.

"Bisedimet nuk kanë alternativë dhe ato nuk janë për Brukselin por në shërbim të qytetarëve", tha zonja Mogherini.

Me vizitën në Kosovë dhe më pas gjatë ditës në Bosnje e Hercegovinë, zonja Mogherini, përmbyllë një vizitë disaditëshe në Ballkanin perëndimorë në përpjekje për të siguruar vendet e rajonit se Bashkimi Evropian mbetet i hapur për zgjerim, me gjithë krizën në të cilën ndodhet ai.

XS
SM
MD
LG