Lidhje

KE: Mjedisi i polarizuar politik në Kosovë – po pengon reformat


Komisioni Evropian në raportin e progresit thotë se Kosovës i duhet një qeveri e orientuar drejt reformave dhe e cila do të mbështesë bisedimet me Serbinë

Komisioni Evropian, publikoi raportet e progresit për vendet e Ballkanit. Në pjesën e raportit për Kosovën, thuhet se polarizimi i mjedisit politik pas zgjedhjeve të qershorit ka çuar në një bllokadë politike që ka shkaktuar shtyrjen e reformave thelbësore në vend.

KE: Mjedisi i polarizuar politik në Kosovë – po pengon reformat
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:12 0:00

Edhe këtë radhë, komisioni vë theksin tek çështjet që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe nevojën e reformave thelbësore në sistemin e drejtësisë.

Në raport thuhet se autoritetet e Kosovës kanë dëshmuar mundësi të mira për të bashkërenduar veprimet për integrimet evropiane, posaçërisht sa i përket negociatave për marrëveshjen e stabilizim asocimit.

Në fushën e sundimit të ligjit, ka vazhduar bashkëpunimi me Misionin e Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit. “Autoritetet kanë treguar një përkushtim thelbësor politik për ripërtëritjen mandatit të misionit dhe janë pajtuar për të ngritur një gjykatë të posaçme që do të shqyrtojë rastet e ngritura nga grupi i posaçëm hetues. Për të përmbyllur këtë proces, Kosova duhet të miratojë ndryshimet e domosdoshme ligjore”.

Raporti thotë se Kosova ka shënuar përparim në dialogun për liberalizimin e vizave, por, tërheq vërejtjen se “ajo duhet të dëshmojë rezultate praktike në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe të zhvillojë më tej pavarësinë e sistemit të drejtësisë”.

Në raport thuhet se në Kosovë, përfshirë edhe komunat veriore të saj, janë mbajtur zgjedhje të suksesshme lokale dhe të përgjithshme. Por, “dështimi për të konstituuar Parlamentin e ri më kohë ishte një kthim prapa. Qeveria e re duhet të fillojë një gamë të gjerë reformash gjithëpërfshirëse, posaçërisht reformën zgjedhore dhe atë të administratës publike”.

Qytetarët e Kosovës, thuhet në raport, presin të kenë qasje në medie të lira dhe që nuk do të përballen me diskriminim pavarësisht nga përkatësia e tyre fetare a etnike.

Për të pasur sukses, Kosovës i duhet një qeveri, jo vetëm e orientuar drejt reformave, por e cila po ashtu do të mbështesë bisedimet me Serbinë dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura jo vetëm në të mirë të Kosovës dhe Serbisë, por edhe gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor”, thuhet në raport.

Duke vlerësuar se situata në veriun e Kosovës mbetet e tensionuar, Komisioni Evropian thekson se të gjitha palët duhet të bashkëpunojnë me EULEX-in dhe të përmbahen nga veprimet e njëanshme. Po ashtu, në raport bëhet thirrje për përpjekje të reja që do të mundësonin funksionimin e komunave veriore nën kuadrin ligjor të Kosovës.

Komisioni Evropian thotë se Kosova ka shënuar një përparim të kufizuar në përpjekjet për t’u shndërruar në një ekonomi funksionale të tregut. Por, ai tërheq vërejtjen se “rritja e shpenzimeve para zgjedhjeve, siç janë pagat, kanë ndikuar negativisht në transparencën dhe besueshmërinë e politikës fiskale”.

Në raport thuhet se vendimet për projektet e infrastrukturës siç është sektori i transporteve duhet të mbështeten në vlerësimet e përshtatshme të çmimeve me qëllim të rritjes së përfitimeve ekonomike. Qytetarët e Kosovës presin një jetë më të mirë dhe përmirësim të situatës ekonomike. Së këndejmi qeveria e re duhet të përqendrohet reformat strukturale ekonomike dhe krijimin e vendeve të punës.

Raporti kërkon që Kosova të fillojë përgatitjet për zbatimin e marrëveshjes së stabilizim asocimit në sektorët kryesor siç janë konkurrenca, prona intelektuale dhe prokurimi publik.

Përveç tjerash Kosova duhet të përgatitet më aktivisht për të mbyllur termocentralin Kosova A. Mungesa e interesimit për mjedisin dhe ndryshimet klimatike është bërë një çështje serioze por shëndetin publik dhe cilësinë e jetës në Kosovë.

XS
SM
MD
LG