Lidhje

Thaçi quan zhgënjyese qasjen e BE-së ndaj Kosovës


Këshilli i BE-së të martën nuk dha një datë për fillimin e negociatave për përfshirjen e Kosovës në marrëveshjen e stabilizim asocimit

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, e cilësoi zhgënjyese qasjen e Këshillit të Bashkimit Evropian, i cili të martën nuk dha një datë për fillimin e negociatave për përfshirjen e Kosovës në marrëveshjen e stabilizim asocimit, por caktoi një kuadër kohor që lë mundësinë e një vendimi për këtë çështje në pjesën e parë të vitit 2013.

Në përfundimet e këtij këshilli, thuhet se ai merr në dijeni se Komisioni Evropian do të propozojë negociatat për këtë marrëveshje, kur Kosova të ketë përmbushur përparësitë afatshkurta lidhur me sundimin e ligjit, administratën publike, mbrojtjen e pakicave dhe tregtinë, kritere të përfshira në studimin e fizibilitetit.



Kryeministri Thaçi tha sot se Kosova dhe qytetarët e saj janë më pro-evropianët në rajon dhe kanë përqafuar vlerat, qëllimet dhe pikëpamjet evropiane. Por, tha ai, Bashkimi Evropian, po vonohet padrejtësisht me Kosovën.

“Kosova po mbetet viktimë e mosunitetit evropian në raport me statusin politik për Kosovën. 22 vende e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, disa prej tyre jo. Defekti i vonesës evropiane të Republikës së Kosovës qëndron në Bruksel nga mosuniteti i tyre për statusin politik dhe jo në Prishtinë. Prishtina sot është më përpara me implementimin e shumë kritereve evropiane se sa disa vende tjera të rajonit që kanë të drejtën edhe në liberalizimin e vizave.Ky paragjykim duhet të tejkalohet definitivisht, paragjykim negativ në raport me Kosovën”, tha kryeministri Thaçi.

Ai tha se Brukseli duhet ta ketë të qartë se rruga e Kosovës drejt Bashkimit Evropian është ndarë nga ajo e Serbisë.

“Ky paragjykim i Brukselit është zhgënjyes për qytetarët dhe institucionet e Kosovës. Në Bruksel duhet ta heqin nga mendjet e tyre, që të ardhmen evropiane të Kosovës ta ndërlidhin apo paralelizojnë me të ardhmen evropiane të Serbisë. Ne jemi dy shtete të veçanta. Kosova është shtet sovran, e ka rrugën e vet, Serbia të veten. Ne kemi filluar një proces të normalizimit të marrëdhënieve ndërshtetërore që t’ia lehtësojmë njëra-tjetrës të ardhmen evropiane, por edhe të konsolidojmë dhe forcojmë shtetin tonë”, tha kryeministri Thaçi.

Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zbogar, tha ndërkaq se është shumë me rëndësi që shtetet anëtare kanë konfirmuar se pavarësisht pengesave, ata do ta ndjekin rrugën e zgjerimit të Bashkimit Evropian. Ai tha se Kosova do të fillojë negociatat për marrëveshjen e stabilizim asocimit sa më parë që siguron zbatimin e kritereve të përcaktuara.

Ndërkaq kryetari i Parlamentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, tha se institucionet duhet të kryejnë pjesën tyre të punës, duke numëruar si një dështim reformën zgjedhore dhe sundimin e ligjit. Ai tha se sistemi i drejtësisë në Kosovës nuk ka funksionuar ne bazë të ligjeve në fuqi.

Në fund të marsit të këtij viti Prishtina mori dokumentin për fillimin e studimit të fizibilitetit për përfshirjen në marrëveshjen e stabilizim asocimit me Bashkimin Evropian. Kjo u bë e mundur pas marrëveshjes së arritur në fillim të atij muaji ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për përfaqësimin rajonal të Kosovës, marrëveshje që i mundësoi Serbisë ndërkaq të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Të dyja palët u përfshinë në një proces të ri bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre në përpjekje për të përshpejtuar procesin e afrimit me Bashkimin Evropian që është edhe ndërmjetësues i këtyre bisedimeve. Diskutime të ashpra përfshinë sot punimet e Parlamentit të Kosovës pas raportimit të kryeministrit Thaçi lidhur me takimin e tij të fundit me kryeministrit serb Ivica Daçiç.

Takimet që janë mbështetur nga diplomacia euro perëndimore, kundërshtohen posaçërisht nga lëvizja Vetëvendosje e cila i cilëson bisedimet aktuale me Serbinë si të dëmshme për Kosovën.
XS
SM
MD
LG