Lidhje

Van Rompuy: Kosova dhe Serbia të zbatojnë marrëveshjen


Herman van Rompuy
Herman van Rompuy

Kryetari i Këshillit Evropian, Herman van Rompuy, tha se përparimi drejt BE-së, varet nga zbatimi i marrëveshjes Kosovë – Serbi në terren

Kryetari i Këshillit evropian, Herman van Rompuy, tha sot në Prishtinë se marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mundësoi përparimin e të dyja palëve drejt integrimeve evropiane. Duke e përgëzuar Kosovën për hapjen e negociatave për marrëveshjen e stabilizim asocimit me Bashkimin Evropian, ai tha se Kosova ka bërë një hap të madh në rrugën e saj drejt integrimeve. Pas takimit me kryeministrin e Kosovës Hashim Thaçi, ai tha se mandati për negocimin e stabilizim asocimit do t’i mundësojë Kosovës vendosjen e dialogut politik me Bashkimin Evropian dhe përparimin me reformat në drejtësi, luftën kundër korrupsionit, sigurinë, politikat ekonomike e tregtare dhe bashkëpunim në një varg fushash tjera.


Kryetari i Këshillit Evropian i kushtoi një vëmendje të posaçme marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duke vlerësuar lartë përkushtimin e të dyja palëve.

Tani duhet të siguroheni se marrëveshja do të zbatohet” tha zoti van Rompuy, i cili erdhi në Prishtinë pas vizitës në Beograd, ku autoriteteve të atjeshme u transmetoi mbështetjen drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, por tërhoqi vërejtjen se ritmi i përparimit do të varet nga zbatimi i marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, si dhe nga realizimi i reformave.

Zoti Van Rompuy, i cili në Kosovë takoi udhëheqësit më të lartë të vendit, tha se ajo që është arritur ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit është në frymën evropiane duke nënvizuar se pas Luftës së Dytë Botërore, Bashkimi Evropian është ndërtuar mbi ripajtimin, që siç tha ai, është me shumë sesa çështje e faljes dhe harrimit. Rruga përpara, tha ai, do të jetë kërkuese por edhe shpërblimi do të jetë në pajtim me përpjekjet.

Vulosja e përmbylljes së luftës së fundit në Evropë është as më pak as më shumë, rruga e vetme për paqe e përparim të qëndrueshëm për të mirën e kombit tuaj, rajonit dhe Evropës”, tha zoti Van Rompuy.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, u zotua për përmbushjen e të gjitha kritereve të përcaktuara për përparimin drejt strukturave evropiane.

Të premten, udhëheqësit e Bashkimit Evropian vendosën fillimin e negociatave me Kosovën për marrëveshjen e stabilizim asocimit, një vendim që nga institucionet vendase e ndërkombëtare në Kosovë, vlerësohet si hap shumë i rëndësishëm në rrugëtimin e Kosovës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Lëvizja Vetëvendosje tha të dielën se ky do të duhej të ishte lajm i gëzueshëm për Kosovën, por sipas saj Kosovës nuk po i jepet mandati për hapjen e negociatave për shkak të përmbushjes së kritereve, por për shkak se, siç thuhet, kjo qeveri i është nënshtruar Serbisë në bisedime.
XS
SM
MD
LG