Lidhje

Kosova merr udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave


Vlora Citaku dhe Cecilia Malmstrom

Vlora Citaku dhe Cecilia Malmstrom

Kosova morri sot udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave. Komisionerja e Bashkimit Evropian për punë të brendshme, Cecilia Malmström, ua dorëzoi zyrtarëve të qeverisë së Kosovës këtë dokument, i cili paraqet një listë gjithëpërfshirëse reformash të cilat duhet t’i plotësojë Kosova, e të cilat kanë të bëjnë me lirinë e lëvizjes, ri-integrimin dhe ri-pranimin, sigurinë e dokumenteve, menaxhimin e kufirit dhe migrimin, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, dhe të drejtat themelore.

Zonja Malmstrom u shpreh e kënaqur me dorëzimin e këtij dokumenti, që sipas saj, “i shpie qytetarët e Kosovës një hap më afër udhëtimit pa viza. Udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave përfshin reformat të cilat do të duhet t’i zbatojë qeveria e Kosovës, për të krijuar një mjedis të sigurt për të udhëtuar pa viza. Se a do të bëhet realitet udhëtimi pa viza dhe se kur do të bëhet varet nga angazhimi i qeverisë për implementimin e këtyre reformave të vështira në terren” tha zonja Malmström.

Kosova, është vendi i fundit në rajonin e Evropës Juglindore që ka mbetur jashtë procesit të liberalizimit të vizave dhe qytetarët e saj mund të udhëtojnë vetëm në pak vende pa u detyruar të presin në radhë të gjata para ambasadave të vendeve të Bashkimit Evropian.

As autoritetet vendase e as ato evropiane nuk janë në gjendje të japin ndonjë parashikim se kur mund të ndodhë një gjë e tille. Në vendet e rajonit nga fillimi i dialogut e deri në liberalizimin e vizave kanë kaluar në periudha kohore prej 18 muajsh e më gjatë. Ndërsa përvojat flasin edhe për bisedime edhe më të gjata. Tash e katër vjet me rashë Rusia bisedon me autoritetet e Bashkimit Evropian për këtë proces, por ende pa një rezultat.

Autoritetet në Prishtinë shpresojnë në përshpejtimin e procesit, por në Prishtinë vëzhguesit druajnë edhe nga ndikimet politike, meqë pesë nga 22 vendet e Bashkimit Evropian, vazhdojnë të mos e njohin pavarësinë e Kosovës. Ky qëndrim ishte ai që e la Kosovën deri tash jashtë këtij procesi por edhe proceseve tjera të përfarimit me Bashkimin Evropian.

Presidentja Jahjaga - mirëpret dorëzimin e udhërrëfyesit për viza

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e vlerësoi ditën e sotme si një hap të rëndësishëm, ndërsa shprehu “gatishmërinë dhe përkushtimin e institucioneve të Kosovës që të vazhdojnë në përmbushjen e kritereve dhe detyrimeve të përcaktuara në këtë udhërrëfyes, duke konsoliduar arritjet në të gjitha fushat në kuadër të agjendës evropiane të Kosovës”.

Presidentja Jahjaga, që udhëheq Këshillin Kombëtar për Integrim Evropian, vlerëson se dita e sotme “përçon një mesazh të qartë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës se edhe ata, si të gjithë qytetarët e tjerë të rajonit të Ballkanit, gëzojnë perspektivën evropiane. Procesi i liberalizimit të vizave do të ndihmojë institucionet e Kosovës të thellojnë reformat në forcimin e institucioneve demokratike, në sundimin e ligjit si dhe në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, thuhet në një komunikatë të presidentes Jahjaga.

XS
SM
MD
LG