Lidhje

Thaçi: BE-ja po rrezikon proceset e rëndësishme në Kosovë


Këshilli i BE-së nuk rekomandon liberalizimin e vizave për Kosovën. Zëvendëskryeministri Thaçi, e quan provokim të rëndë. Vonesat e BE-së, thotë ai, po nxisin ekstremizmin dhe po rrezikojnë proceset në vend.

Këshilli i Bashkimit Evropian, nuk i dha dritën jeshile procesit të përfshirjes së Kosovës në regjimin e udhëtimit pa viza në vendet e zonës Shengen. Në përfundimet e pakos së zgjerimit dhe stabilizim asocimit, Këshilli “nënvizon rëndësinë e përmbushjes së kushteve për liberalizimin e vizave dhe nxitë Kosovën që të vazhdojë përpjekjet për të përparuar në këtë proces”.

Autoritetet në Kosovë kishin pritur rekomandimin pozitiv me shpresën se viti 2016 do të gjejë vendin pjesë të këtij procesi.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në një reagim në faqen e tij në facebook u shpreh i zhgënjyer “për vonesat e pakuptimta të BE-së për liberalizimin e vizave”, duke e cilësuar këtë si një “provokim të rëndë dhe rezultat të paaftësisë dhe mungesës së vullnetit politik të lidershipit në Bruksel”.

Zoti Thaçi e cilësoi “marrëzi nga ana e BE-së, që të mbajë të izoluar kosovarët. Këto vonesa absurde dhe të qëllimshme, jo vetëm që nxisin ekstremizmin në vend, por e rrisin edhe frustrimin tek qytetarët e Kosovës”.

Në reagim thuhet se, kjo qasje e BE-së “është duke rrezikuar të gjitha proceset e rëndësishme në vend, përfshirë edhe dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, zbatimin e marrëveshjeve dhe arritjen e marrëveshjeve të reja. Prandaj, konsideroj që BE-ja duhet t’i jap fund këtij trajtimi diskriminues kundër Kosovës dhe kështu të jap ndihmën e saj për paqen dhe stabilitetin në Ballkan. Përkundër kësaj, durimi i ynë do të jetë më i fuqishëm se paaftësia e Brukselit. Por, Kosova nuk guxon të diskriminohet edhe më tej vetëm për shkak se nuk është si Kolumbia dhe Ukraina. Good luck EU!”, shkruan zoti Thaçi.

Kosova është vendi i vetëm në Evropën Juglindore, qytetarët e së cilës nuk mund të udhëtojnë pa viza në vendet e Bashkimit Evropian. Ajo mori udhërrëfyesin për këtë çështje në qershor të vitit 2012.

Kosova është e fundit në proceset integruese edhe për shkak të mungesës së konsensusit brenda Bashkimit Evropian, pesë vende anëtare të të cilit vazhdojnë të mos e njohin pavarësinë e saj.

Ajo është e fundit që nënshkroi marrëveshjen e stabilizim asocimit me Bashkimin Evropian më 27 tetor, e cila u mundësua për shkak të marrëveshjeve me Serbinë, e cila të hënën hapi kapitujt e parë të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Këto marrëveshje ndërkaq e kanë çuar Kosovën në një krizë politike disa muajshe për shkak të mospajtimit të partive opozitare që vlerësojnë se marrëveshja për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, dëmton sovranitetin e Kosovës.

Këshilli i BE-së në përfundimet për Kosovën bënë thirrje për dialog politik dhe dënon dhunën për qëllime politike. Këshilli bën thirrje për luftë kundër korrupsionit përfshirë edhe atë të nivelit të lartë si dhe përmbushje të reformave në sistemin e zgjedhjeve dhe në administratë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG