Lidhje

Kosova edhe tetë kushte për liberalizimin e vizave


KE tha se Kosova ka përmbushur 87 nga 95 kriteret për liberalizimin e vizave dhe la të hapur mundësinë që vitin e ardhshëm të rekomandojë këtë liberalizim

Komisioni Evropian vlerësoi të premten pozitivisht përparimet e arritura në Kosovë për përmbushjen e kritereve për përfshirjen e saj në regjimin e udhëtimit pa viza në zonën Shengen, por tha se duhet përmbushure dhe tetë kritere të tjera për të siguruar liberalizimin.

Komisioni publikoi të premten raportin e tij të fundit për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, ndërsa i dha dritën e gjelbër liberalizimit për Gjeorgjinë dhe Ukrainën.

I ngarkuari i Komisionit Evropian me çështje të migracionit dhe punëve të brendshme, Dimitris Avramopulos, tha në Bruksel se kanë mbetur vetëm edhe tetë kritere të cilët Kosova duhet t’i përmbushë dhe të ofrojë masa të frytshme për të parandaluar migrimin në Bashkimin Evropian. Pas kësaj tha ai, komisioni do të jap rekomandimin për liberalizim.

"Ta shfrytëzojmë këtë periudhë para nesh për të bërë çfarëdo që është e nevojshme për ta përgatitur Kosovën për udhëtim pa viza", tha zoti Avramopulos, i cili pritet të qëndrojë në Prishtinë në fillim të vitit 2016.

Kosova kishte gjithsej 95 detyrime për të përmbushur në këtë proces.

Raporti i sotëm pasoi raportin e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të Bashkimit Evropian më 15 dhjetor, në të cilin nuk u dha rekomandimi për liberalizimin e vizave në zonën Schengen për qytetarët e Kosovës, duke nxitur shume reagime në Kosovë, ku autoritetet e cilësuan zhgënjyese dhe fyese qasjen e Brukselit.

Kosova është vendi i vetëm në Evropën Juglindore, qytetarët e së cilës nuk mund të udhëtojnë pa viza në vendet e Bashkimit Evropian. Ajo mori udhërrëfyesin për këtë çështje në qershor të vitit 2012.

Kosova është e fundit në proceset integruese edhe për shkak të mungesës së konsensusit brenda Bashkimit Evropian, pesë vende anëtare të të cilit vazhdojnë të mos e njohin pavarësinë e saj.

Ajo është e fundit që nënshkroi marrëveshjen e stabilizim asocimit me Bashkimin Evropian më 27 tetor, e cila u mundësua për shkak të marrëveshjeve me Serbinë, e cila të hënën hapi kapitujt e parë të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Këto marrëveshje ndërkaq e kanë çuar Kosovën në një krizë politike disa muajshe për shkak të mospajtimit të partive opozitare që vlerësojnë se marrëveshja për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, dëmton sovranitetin e Kosovës.

XS
SM
MD
LG