Lidhje

Emërohet prokurori i ri i BE-së për krime lufte në Kosovë


Prokurori amerikan David Schwendiman, do të vazhdojë hetimet e bashkëkombësit të tij Clint Willimason, të pretendimeve për krime lufte në Kosovë.

Amerikani David Schwendiman është emëruar në postin e kryeprokurorit të Grupit Hetues të Bashkimit Evropian, për hetimin e pretendimeve të raportit të Këshillit të Evropës për krime lufte në Kosovë.

Zoti Schwendiman pason në këtë post prokurorin amerikan Clint Williamson, i cili u tërhoq në gusht të këtij vitit nga kjo detyrë.

Në një njoftim të grupit hetues thuhet se zoti Schwendiman ka përvojë të begatshme profesionale dhe akademike duke punuar në nivelet më të larta të drejtësisë vendase e ndërkombëtare.

Në fund të muajit korrik, prokurori Clint Williamson tha se zyrtarë të lartë të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të përballen me akuza për krime kundër njerëzimit.

Në vitin 2011, zoti Williamson mori përsipër të hetojë pretendimet e ngritura nga i dërguari i Këshillit të Evropës Dikc Marty në vitin 2010, për krime lufte, përfshirë edhe trafikimin me organet e personave të rrëmbyer. Ai tha se “është përballur me sfidë për mbledhjen e dëshmive mbi këto pretendime. Por, sipas tij, kjo nuk nënkupton se grupi hetues ka hequr dorë dhe se hetimet do të vazhdojnë, meqë ekziston dyshimi se një krim i këtillë ka ndodhur në masë të kufizuar.

Nuk ka ndonjë shenjë që kjo praktikë ishte më e gjerë dhe sigurisht nuk ka shenjë që ndonjë numër i madh i pjesëtarëve të pakicave që u zhdukën ose që u vranë ishin viktimë e kësaj praktike. Pohimet që janë dhënë nga disa njerëz duke lënë të kuptohet që qindra janë vrarë me qëllim të trafikimit të organeve janë krejtësisht e pambështetura”, tha ai atëbotë, duke nënvizuar se fakti që kjo ndodhi në një shkallë të kufizuar nuk e pakëson egërsinë e një krimi të tillë. Por, ai tha se nuk vlen të stërmadhohen numrat dhe të krijohet dhimbje e ankth për familjet të cilët ende nuk e dinë fatin e të dashurave të tyre.

Duke publikuar të gjeturat e hetimeve tre vjeçare të drejtuara prej tij, ai tha se janë gjetur prova bindëse kundër ish-zyrtarëve të caktuar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe një aktakuzë kundër tyre arsyetohet me shkelje të rënda të së drejtës ndërkombëtare humanitare, duke përfshirë krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës. Ai tha se viktima të këtyre krimeve ishin kryesisht serbë, romë dhe pakica të tjera por edhe shqiptarë të Kosovës të cilët cilësoheshin bashkëpunëtorë të serbëve ose, më shpesh, të cilët ishin thjeshtë kundërshtarë politik të udhëheqjes së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Të dhënat e grupit tha ai, tregojnë që elementë të caktuar të Ushtrisë Çlirimtare qëllimisht i vunë nën shënjestër pakicat me veprime që përfshinin vrasje të paligjshme, rrëmbime, zhdukje të detyruara, burgosje të paligjshme në kampe në Kosovë dhe në Shqipëri, dhunë seksuale, forma të tjera të trajtimit çnjerëzor, zhvendosje me dhunë të individëve nga shtëpitë dhe komunitetet e tyre si dhe përdhosjen dhe shkatërrimin e kishave dhe objekteve tjera fetare.

Grupi ka konstatuar që individë të caktuar në udhëheqjen e lartë të ish-UÇK-së përdorën elementë të asaj organizate të kryejnë dhunë për të fituar fuqi politike dhe pasuri personale. Prokurori i kushtoi një vend të posaçëm, siç tha, frikësimit të dëshmitarëve. Ai tha se të gjeturat e tij do të jenë të mbyllura dhe nuk do të shpalosen deri në fillimin e punës së gjykatës së posaçme, themelimi i së cilës është miratuar nga Parlamenti i Kosovës në prill të këtij viti.

Gjykata, hollësitë e veprimit të së cilës ende nuk janë të qarta, do të veprojë në kuadër të ligjeve të Kosovës, por pjesa më e madhe e punës së saj do të kryhet jashtë Kosovës, konkretisht në Holanë, ndërsa prokurorët dhe gjykatësit do të jenë ndërkombëtar.

Ngritja e gjykatës së posaçme pritet të jetë ndër detyrat e para të parlamentit të ri të Kosovës që u funksionalizua me 8 dhjetor, gjashtë muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Hetimet kishin nxitur reagime dhe protesta ne Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e forcave serbe gjatë luftës në Kosovë.

XS
SM
MD
LG