Lidhje

KE kushtëzon stabilizim asociimin me Kosovën


Komisioni Evropian tha se nuk ka pengesa për marrëveshjen e stabizilim asociimit ndërmjet Kosovës dhe BE-së, por duhet plotësuar disa kritere

Komisioni Evropian është pajtuar t’i ofrojë Kosovës marrëveshjen e stabilizim asociimit por ka kushtëzuar fillimin e negociatave për këtë proces me përmbushjen e disa kritereve.

Duke shpallur miratimin e studimit të fizibilitetit për përfshirjen e Kosovës në këtë proces, komisionari për zgjerim Stefan Fule tha se nuk ka pengesa ligjore për realizimin e kësaj marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Komisionari Fule tha se Kosova po ec me hapa të mëdhenj në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian. Këtë vit Kosova ka pranuar udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave, ka shënuar përparim në përfshirjne esaj në në programet e këtij bashkimi dhe tani ka pranuar studimin e fizibilitetit për një marrëveshje të Stabizilim asociimit.

Në këtë studim Komisioni e bën të qartë se ai do të propozojë një mandat për një marrëveshje të stabilizim asociimit sapo Kosova të plotësojë përparësitë afatshkurtra në fushat e sundimit të ligjit, administratës publike, mbrojtjes së pakicave kombëtare dhe tregti”, tha komisionari Fule.



Komisioni Evropian vlerëson ndërkaq se situata në veriun e Kosovës mbetet një sfidë e rëndësishme për Kosovën, Ballkanin Perëndimor si dhe Bashkimin Evropian, ndërsa u bëhet thirrje të gjitha palëve që të ndërmarrin hapa pozitiv për të ndihmuar në zgjidhjen e kësaj situate. Por, komisioni pohon se gjendja e tashme në atë zonë nuk është pengesë për negocimin e marrëveshjes.

Po ashtu edhe Beogradit edhe Prishtinës u bëhet thirrje për zbatimin e plotë të marrëveshjeve të arritura në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Publikimi i studimit të fizibilitetit u vlerësua si një ngjarje e veçantë nga udhëheqësit e Kosovës.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, vlerësoi se “marrëveshja e stabilizim-asociimit paraqet hapin e parë të madh të vendit në rrugën e anëtarësimit dhe integrimit të plotë në Bashkimin Evropian, proces ky që është në një vijë me politikën e zgjerimit të BE-së dhe perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor”.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili tha se “viti 2012 ka qenë viti i suksesit dhe i konkretizimit të agjendës evropiane të Kosovës dhe fillimit të zyrtarizimit të marrëdhënieve të saj me Bashkimin Evropian”.

Ai u zotua në përmbushjen e kritereve të përcaktuara si kusht për fillimin e negociatave.

Ende nuk dihet se kur mund të ndodhë caktimi i datës për fillimin e negociatave, por përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zbogar, tha se pranvera e vitit që po vjen mund të jetë kohë e fillimit të tyre.

Komisioni Evropian hapi studimin e fizibilitetit për Kosovën pak kohë pasi që Prishtina arriti marrëveshje me Beogradin për përfaqësimin rajonal, marrëveshje e cila Serbisë i mundësoi të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Zbatimi i marrëveshjeve ndërkaq është vënë si kusht për Serbinë që të marrë datën e fillimit të negociatave.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG