Lidhje

Bisedimet Kosovë – BE për MSA-në më 28 tetor


Komisioni Evropian publikoi sot raportin e progresit që parasheh fillimin e negociatave për Marrëveshjen e Sabilizim Asociimit me Kosovën në fund të tetorit

Bashkimi Evropian pritet të nisë negociatat për Marrëveshjen e Sabilizim Asociimit me Kosovën më 28 tetor. Afati i fillimit të këtyre negociatave dhe përfundimit të tyre në pranverën e vitit 2014, me synimin që marrëveshja të nënshkruhet në verën e ardhshme, është pjesë e raportit te progresit të Komisionit Evropian për shtetet që aspirojnë anëtarësimin në BE, përfshirë edhe raportin për Kosovën.

Në raportin e publikuar nga komisionari për zgjerim i Bashkimit Evropian Stefan Fule, Kosovës i kërkohen reforma në fushën e sundimit të ligjit, përfshirë kërkesat që të jap dëshmi konkrete për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.



Po ashtu Komisioni Evropian kërkon hapa të menjëhershëm kundër gjuhës së urrejtjes, duke radhitur në mesin e shqetësimeve për Kosovën sulmet ndaj komunitetit me orientim homoseksual, si dhe veprimet ndaj medies dhe shprehjes së lirë.

Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian në Prishtinë, Samuel Zbogar tha se Kosova duhet të vazhdojë me normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, zbatimin e marrëveshjeve ekzistuese dhe realizimin e marrëveshjeve të reja.

Zgjedhjet lokale të planifikuara për datën 3 nëntor do të jenë një sprovë e rëndësishme për të gjithë të angazhuarit për demokracinë në Kosovë. Prandaj, është e rëndësishme që ato zgjedhje të jenë demokratike, gjithëpërfshirëse dhe të lira”, tha zoti Zbogar, i cili gjatë ditës u dorëzoi autoriteteve të Kosovës raportin e Komisionit.

Udhëheqësit e institucioneve u zotuan se gjetjet e raportit do të shqyrtohen seriozisht dhe do të merren të gjitha veprimet për përmbushjen e detyrimeve për Kosovën.

Ministrja e integrimeve evropiane Vlora Citaku tha se raporti paraqet përparimin e Kosovës në procesin integrues në Bashkimin Evropian.

"Sidoqoftë, ne jemi më se të vetëdijshëm që puna jonë nuk ka përfunduar, përkundrazi zbatimi i reformave dhe i kritereve Evropian tashmë ka hyrë në binarët e duhur dhe tani më shumë se kurrë, vendi jonë, institucionet tona: Qeveria, Kuvendi dhe institucionet e drejtësisë duhet të japim angazhimin tonë maksimal”, tha ministrja Citaku.

Më 28 tetor është paralajmëruar takimi i parë për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me Kosovën, ndërsa mosnjohja e pavarësisë së Kosovës nga pesë vende anëtare të Bashkimit Evropian ka bërë që kjo marrëveshje të mos ketë nevojë të ratifikohet nga parlamentet e shteteve anëtare.

Bisedimet me Serbinë ishin ato që siguruan fillimin e këtyre negociatave dhe Komisioni Evropian e ka cilësuar vitin 2013 si periudhë historike për Kosovën për shkak të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë të arritur në bisedimet e ndërmjetuara nga Bashkimi Evropian.

Serbia nga ana tjetër, do të marrë rekomandimin për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe pritet që në dhjetor, Këshilli i Ministrave të vendosë datën e bisedimeve me Serbinë për në muajin janar të vitit të ardhshëm.
XS
SM
MD
LG