Lidhje

Ashton: Zgjedhjet - hap i madh për të ardhmen e Kosovës


Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Catherine Ashton, bëri thirrje për zgjedhje të lira, të drejta e gjithpërfshirëse për pushtetin komunal në Kosovë.

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, bëri thirrje sot për zgjedhje të lira e të drejta për pushtetin komunal në Kosovë, të cilat do të mbahen të dielën me tre nëntor.

Në një deklaratë për opinion, ajo tha sot se zgjedhjet e tre nëntorit janë një moment i rëndësishëm për të ardhmen e Kosovës, për zbatimin e marrëveshjes së prillit dhe procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.



Ajo tha se shumë njerëz kanë punuar për përgatitjen e këtyre zgjedhjeve edhe në Prishtinë edhe në Beograd, ndërsa i shprehu mirënjohje Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë për rolin e saj lehtësues në këtë proces.

Në fillim të procesit të bisedimeve ishin dy kryeministra të guximshm. Ata patën vizion dhe kurajo për të arritur marrëveshjen e prillit dhe për zbatimin e saj. Unë u bëj thirrje edhe sot që të tregojnë kurajon dhe vizionin e njëjtë për të siguruar zgjedhje të drejta dhe gjithëpërfshirëse”, tha zonja Ashton duke nënvizuar se Bashkimi Evropian do të ndjekë nga afër rrjedhën e zgjedhjeve.

Përvec natyrës së vecantë të këtyre zgjedhjeve si pjesë e zbatimit të marrëveshjes së prillit, ky proces duhet të jetë po ashtu një hap përpara drejt forcimit të demokracisë në Kosovë”, tha zonja Ashton, duke theksuar se më tre nëntor, vetëm pas ditë pas hapjes së negociatave për marrëveshjen e stabilizim asocimit, Bashkimi Evropian pret nga Kosova një proces të drejtë e të lirë të zgjedhjeve.

Ajo u bëri thirrje qytetarëve të Kosovës që të marrin pjesë në zgjedhje, posaçërisht pjesëtarëve të komunitetit serb.

I kuptoj shqetësimet, posaçërisht në veri, por pjesëmarrja është rruga më e mirë për t’u siguruar se zëri juaj do të dëgjohet”, thuhet në deklaratën e zonjës Ashton.
Zgjedhjet e së dielës janë të parat në të cilat do të marrin pjesë edhe komunat veriore të Kosovës të banuara me shumicë serbe. Përfshirja e tyre në këtë proces ishte pjesë e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që aspirojnë integrimin në Bashkimin Evropian.
XS
SM
MD
LG