Lidhje

Mogherini: Bisedimet Kosovë – Serbi, përparësi e BE-së


Përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogherini i tha sot ministrit të jashtëm të Kosovës, Hashim Thaçi se në janar të vitit 2015 do të vazhdojë procesi i bisedimeve

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, tha sot në Bruksel se Kosova duhet të shtojë përpjekjet e saj për zhvillim të brendshëm dhe për përparimin drejt Bashkimit Evropian.

Komentet e saj pasuan një takim me shefin e diplomacisë së Kosovës, Hashim Thaçi, me të cilin siç thuhet në një komunikatë, është biseduar vazhdimësia e takimeve të nivelit të lartë, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Synoj t’i thërras të dy kryeministrat për takimin e nivelit të lartë në janar dhe pres me padurim vazhdimin e punës sonë të rëndësishme për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit”, citohet të ketë thënë zonja Mogherini, duke nënvizuar se për BE-në dhe për të personalisht, kjo mbetet çështje e përparësisë së lartë.

Kishim një mundësi të mirë për të këmbyer pikëpamjet tona mbi përparimet në Kosovë. Jemi pajtuar që, tani pas formimit të qeverisë në Prishtinë, puna duhet të vazhdojë me dinamikë të shtuat drejt agjendës evropiane së reformave,në mënyrë që të arrihet përparim i mirë gjatë vitit të ardhshëm, si në rrafshin e zhvillimit të brendshëm, ashtu edhe në rrugëtimin drejt BE-së”, citohet të ketë thënë zonja Mogherini.

Zoti Hahn vuri theksin tek detyrimet që ka Kosova kundruall Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe procesit të liberalizimit të vizave. Ai tha në një konferencë me gazetarë se “sundimi i ligjit vazhdon të jetë përparësi dhe Kosova natyrisht duhet të dëshmojë zotimin e saj të qartë për të dhënë rezultate në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”.

Zoti Hahn, paralajmëroi se do ta vizitojë Kosovën në fillim të vitit të ardhshëm.

Ai mori zotimet e ministrit ta jashtëm të Kosovës Hashim Thaçi për zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Procesi i liberalizimit të vizave do të jetë një prej përparësive kryesore dhe Kosova do t’i kryejë të gjitha detyrimet që dalin para saj”, tha zoti Thaçi

Bisedimet që çuan në një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve i mundësuan Kosovës marrëveshjen e stabilizim asocimit, ndërsa Serbisë hapjen e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Por, përparimi i saj në këtë rrugë varet nga rezultatet në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën.

XS
SM
MD
LG