Lidhje

KE dhe MSA me Kosovën


Përfaqësuesi i posaçëm i BE-së në Kosovë, Samuel Zogar, tha të enjten se në fund prillit, Komisioni Evropian do të miratojë marrëveshjen për stabilizim asociim me Kosovën

Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zogar, tha të enjten se në fund të këtij muaji, Komisioni Evropian do të miratojë marrëveshjen për stabilizim asociim me Kosovën. Pas miratimit ajo do t’u dërgohet vendeve anëtare për diskutim dhe kjo do të mundësojë që marrëveshja të nënshkruhet para verës së këtij viti. Për shkak të mosnjohjes së pavarësisë së Kosovës nga pesë vende të Bashkimit Evropian, marrëveshja ndryshe nga ato me vendet e tjera të Ballkanit perëndimorë, nuk do të ratifikohet nga parlamentet e vendeve të BE-së veç e veç.

Gjatë një diskutimi të organizuar nga Forumi 2015 me temën “Perspektiva Evropiane e Kosovës”, Ministri i Integrimeve Evropiane Bekim Çollaku tha se ardhmëria evropiane e vendit do të mbetet e papërfunduar pa njohjen e pavarësisë së Kosovës nga pesë vendet anëtare të BE-së, duke bërë thirrje për më shumë trysni ndaj tyre.

“Dhe krejt potenciali për reforma në Kosovë buron nga kjo perspektivë, perspektiva e anëtarësimit të mundshëm një ditë. A do të jetë pas pesë, dhjetë apo pesëmbëdhjetë viteve, nuk mendoj që është shumë e rëndësishme, e rëndësishme është që ky vend të përgatitet për anëtarësim. Sa më shpejt i bëjmë reformat aq më e shkurtër do të jetë periudha kur ne synojmë anëtarësimin. Mirëpo nëse nuk e tejkalojmë sfidën e njohjes nga pesë shtetet anëtare të Bashkimit Evropian atëherë ky projekt mbetet tërësisht i papërfunduar”, tha ai.

Ndërsa, udhëheqësi i Nismës Evropiane për Stabilitet Gerald Knaus tha se Bashkimi Evropian nuk po e trajton Kosovën njësoj me vendet tjera që aspirojnë integrimet evropiane dhe mostrajtimi i drejtë pamundëson edhe konkurrencën...

“Për këtë arsye mendoj që sot në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian kjo është çështje kyçe për të provuar besueshmërinë dhe seriozitetin e Bashkimit Evropian”, tha zoti Knaus.

Analisti e gazetari Augustin Palokaj, autor i studimit mbi perspektivën evropiane të Kosovës me titullin “Ecje nëpër mjegull”, tha se te zyrtarët evropianë ekziston bindja se është një rrethanë pozitive fakti që Kosova nuk është e njohur nga të gjitha shtetet anëtare dhe kjo po bëhet sipas tij për shkak të bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Vet një person i lart pat thënë, ne u themi shqiptarëve 23 vende të Bashkimit Evropian ju kanë njohur. Ju jeni shtet I pavarur dhe nuk ka kthim prapa. Serbëve u themi, ne si Bashkim Evropian në çështje të tilla veprojmë me konsensus dhe deri sa kemi shtete anëtare që nuk e kanë njohur Kosovën, atëherë ne jemi të paanshëm ndaj statusit dhe kështu vazhdon. Bashkimi Evropian është i lumtur për këtë situatë, prandaj nuk u pëlqejnë thirrjet e Parlamentit Evropian për të bërë presion ndaj shteteve që nuk e kanë njohur Kosovën që ta bëjnë një gjë të tillë”, tha zoti Palokaj.

Ministri Bekim Çollaku tha se këtë shqetësim do ta adresojë te zyrtarët evropianë dhe se sipas tij një gjë e tillë e dëmton mjaft Kosovën.

“Dhe tashti shtrohet pyetja, si ka mundësi që dikush në institucionet e BE-së qenka i lumtur që kemi një situatë të tillë e cila i mundëson BE-së që të jetë e fuqishme edhe në raport me Kosovën, por në të njëjtën anë të jetë e fuqishme edhe në raport me Serbinë duke e qetësuar atë, duke i thënë mos u mërzitni ju shumë sepse Kosova nuk do të ecë përpara dhe e kemi nën kontroll situatën sepse kemi pesë shtete anëtare të cilat kurdo që dëshirojnë e bllokojnë ecjen e Kosovës në këtë proces”, tha ministri Çollaku.

Por, përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në Kosovë Samuel Zbogar tha se Bashkimi Evropian është i përkushtuar që Kosova të vazhdojë rrugën e saj evropiane duke nënvizuar se një dëshmi e kësaj është edhe miratimi i marrëveshjen për stabilizim asociim me Kosovën, që është hapi i parë drejt integrimeve evropiane.

Kosova pret të nënshkruajë këtë marrëveshje deri në fund të këtij viti, por ajo gjendet e fundit në rajon në përparimet drejt integrimeve evropiane.

Kosova fitoi këtë marrëveshje si kundërshpërblim ndaj përkushtimit të saj në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë e cila kundërshton pavarësinë e Kosovës, por është përfshirë në bisedime të cilat i siguruan asaj hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

XS
SM
MD
LG