Lidhje

Paraburgim për të dyshuarit për luftën siriane


EULEX-i tha se dy të dyshuarit planifikonin që të shkojnë dhe të luftojnë në Siri në radhët e Al-Qaedas.

Misioni i BE-së për sundimin e ligjit në Kosovë tha se u ka caktuar masën paraburgimit prej tridhjetë ditësh dy personave të dyshuar për tentim të kryerjes së veprës penale organizimi dhe pjesëmarrja në një grup terrorist.

Në njoftimin e këtij misioni thuhet se të dyshuarit planifikonin që të shkojnë dhe të luftojnë në Siri në radhët e Al-Qaedas. Rasti është duke u hetuar nga një prokuror vendas nga Prokuroria e posaçme e Kosovës, thuhet në njoftim, ku nuk është bërë i ditur identiteti i të arrestuarve.

Njoftimi pasoi vendimin e qeverisë së Kosovës për të dërguar në Parlament një projektligji përmes se cilit bashkimi në konfliktet e armatosura jashtë territorit të vendit konsiderohet vepër penale dhe e dënueshme me 5 deri në 15 vjet heqje lirie.

Me këtë projektligj synohet të plotësohet kuadri ligjor i munguar që trajton përfshirjen e qytetarëve të Kosovës në luftëra jashtë vendit.

Nisma për hartimin e këtij kuadri ligjor pasoi njoftimet se qindra shqiptarë nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia mund të kenë shkuar në Siri për të luftuar. Autoritetet në Kosovë besojnë se rreth 100 shqiptarë nga Kosova mund të jenë duke luftuar në Siri kundër regjimit të Bashar Al-asadit, por askush nuk e di numrin e saktë të tyre.
Ministri i brendshëm Bajram Rexhepi tha se nisma është në funksion të mbrojtjes së interesit shtetëror dhe sigurisë kombëtare.

Kohët e fundit është vërejtur një trend i rritjes së individëve të cilët me rritjen e vatrave të krizës në botë me qëllim të realizimit të sferave të tyre të interesit, të bashkëngjiten në formë të organizuar apo të pavarur, në kryengritje apo konflikte të ndryshme jashtë vendit, për shuma të caktuar të parave apo privilegjeve të tjera. Dhe, të njëjtit, pas kalimit të kohës së caktuar kthehen në vend dhe bëhen bartës të aktivitetit propagandistik dhe nxitjes së të tjerëve për bashkim apo pjesëmarrje në forma të tilla. Kemi konsideruar që është imediate krijimi i kornizës ligjore për ndjekjen dhe gjykimin për personat të tillë që marrin pjesë në konflikte apo në çfarëdo forme të organizimit joformal paraushtarak apo para policor jashtë territorit të Kosovës”, tha ai.

Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve që të mos përfshihen në këtë luftë e cila, siç thuhet, ka marrë përmasa përtej luftës kundër regjimit të Bashar Al Asadit.
Edhe Bashkësia Islame e Kosovës ka bërë thirrje në disa raste kundër përfshirjes së shqiptarëve luftën në Siri dhe që të mos bihet pre e interpretimeve të gabuara të islamit, thirrje të cilave u janë bashkuar tashmë edhe Bashkësitë Islame në Shqipëri e Maqedoni.
XS
SM
MD
LG