Lidhje

Kosovë: Operacion i gjerë anti-krim


Policia e Kosovës dhe ajo e Misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit, kryen sot një operacion bastisjesh në shkallë të gjerë në Prishtinë.

Kosove, operacion anti-krim
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:14 0:00

Operacioni është zhvilluar nën dyshimet për krim të organizuar, pastrim parash dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare Rasti përfshin veprat penale të krimit të organizuar; Pastrim parash; keqpërdorim i pozitës zyrtare; falsifikim i dokumenteve zyrtare dhe dhënie e marrje të ryshfetit

Rreth 350 policë kanë bastisur rreth 42 prona, që lidhen me 40 të dyshuar.

Prokuroria e shtetit tha se gjashtë persona janë arrestuar.

Operacioni, thuhet në një njoftim të prokurorisë " ka të bëjë me një grup të madh të organizuar kriminal, i cili ka qenë aktiv nga viti 2006 e deri më sot, i përbërë nga qytetarë nga Kosova dhe nga Serbia , i kryesuar nga Azem Syla".

Zoti Syla të cilin prokuroria e cilëson si udhëheqës të grupit, është deputet i Parlamentit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike dhe aktualisht ndodhet në arrati.

"Anëtarët e këtij grupi të organizuar kriminal kanë bashkëpunuar, secili me një rol të veçantë, për të privuar Kosovën nga pronat shoqërore në një vlerë përafërsisht prej 30 milionë eurosh, nëpërmjet veprimtarive kriminale, përfshirë falsifikimin e dokumenteve zyrtare dhe dhënien e ryshfetit për zyrtarët publikë. Të dëmtuarit janë buxheti i shtetit të Kosovës dhe familjet serbe te Kosovës, autorizimi i të cilëve për të dhënë parcelat e tokave me qira është keqpërdorur nga grupi i organizuar kriminal", thuhet në njoftimin e prokurorisë e cila thekson se "një pjesë e konsiderueshme e parcelave të tokës të përfshira janë sekuestruar përkohësisht me urdhër të gjyqtarit të procedurës paraprake të Gjykatës Themelore të Prishtinës më 26 prill 2016. Në radhë të parë, ky proces ka për qëllim ta rikthejë tokën në pronësi të pronarëve të ligjshëm publik".

Disa të pandehur ndaj të cilëve po zhvillohen hetime janë qytetarë serbë, që jetojnë në Serbi.

"Gjatë hetimit ka pasur një bashkëpunim efektiv me Zyrën e Lartë të Prokurorit për Krim të Organizuar në Beograd", thuhet në njoftim, ndërsa "urdhrat për arrest në lidhje me disa të pandehur nuk janë ekzekutuar, pasi që ata janë arratisur ose janë jashtë vendit".

Pjesë e këtij grupit janë edhe ish gjyqtarë, avokatë, zyrtarë komunal dhe afaristë.

Operacioni ndërkaq është përkrahur nga udhëheqës të institucioneve në Kosovë.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, mbështeti operacionin nëpërmjet një postimi në rrjetin social facebook, në të cilin thuhet se “lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është çelësi i ndërtimit të shtetit demokratik e të drejtë, çelësi i të ardhmes evropiane. Pres nga të gjithë ata që janë të përfshirë në rastet gjyqësore që t’i ofrojnë bashkëpunim të plotë policisë dhe prokurorisë”, ka shkruar presidenti Thaçi.

Edhe Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli, që njëherësh është edhe ushtrues detyre i kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës u ka dhënë mbështetje autoriteteve të rendit. Ai bëri thirrje që prokuroria dhe gjyqësia ta kryejnë punën e tyre në mënyrë të pavarur, duke nënvizuar se të gjithë janë të barabartë para ligjit.

Mungesa e rezultateve në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar vazhdojnë të mbeten kritikat më të mëdha ndaj institucioneve të vendit. Organizata të shumta ndërkombëtare dhe ato vendore thonë se këto dukuri kanë shtrirje të thellë në Kosovë. Luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit ndërkaq janë kriteret kryesore që Kosova duhet të përmbush për rrugën e saj drejt integrimeve evropiane.

XS
SM
MD
LG