Lidhje

Sulm mbi EULEX-in në veri të Kosovës


Dy makina të Misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit janë qëlluar me armë zjarri në veri të Kosovës. Sulmi kaloi pa dëme në njerëz.

Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit bëri të ditur se dy makina të të këtij misioni janë qëlluar më armë zjarri në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe.

Sulmi që kaloi pa pasoja në njerëz, por me dëme materiale, ndodhi të hënën në mbrëmje në rrugën që çon në Bernjak, njërin nga vendkalimet kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në veri.

Autoritetet thanë se kanë filluar hetimet, por ende nuk dihet asgjë për autorët apo motivet e mundshme të sulmit.

Nëpërmjet një komunikate EULEX-i e dënoi ashpër incidentin duke e cilësuar atë si një sulm qyqar. “Çdo sulm kundër EULEX-it është sulm kundër Bashkimit Evropian”, thuhet në reagim nëpërmjet të cilit kërkohet ndihma e qytetarëve për ndriçimin e rastit.

Sulmi ndodhi pak ditë pasi që udhëheqësit politik lokal serbë thanë se kanë pezulluar bashkëpunimin me misionin e EULEX-it, në shenjë kundërshtimi të arrestimeve të fundit në atë zonë. Qëndrimi pasoi arrestimet e disa pjesëtarëve të komunitetit serb nën dyshimet për përfshirje në vrasje në shkurt të vitit 2000 në veri të Mitrovicës.

Presidentja Kosovës, Atifete Jahjaga e dënoi ashpër sulmin mbi pjesëtarët e EULEX-it, duke e cilësuar atë “përpjekje për të penguar vendosjen e ligjit në territorin e Republikës së Kosovës dhe sulm mbi rendin demokratik të saj. Sulmi mbi pjesëtarët e misionit të EULEX-it, është gjithashtu një përpjekje për të mbajtur nën tension dhe me frikë qytetarët në këtë pjesë të territorit të vendit, që duan shtrirjen e sundimit të ligjit dhe një jetë më të qetë”.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG