Lidhje

Seancë dëgjimore për të dyshuarit për planifikim terrorizmi


Në një gjykatë të EULEX-it u zhvillua seancë dëgjimore ndaj shtatë personave të dyshuar për planifikim të veprimeve terroriste dhe sulm fizik e nxitje të urrejtjes.

Në mesnatë përfundoi një paraqitje para gjykatës së grupit prej shtatë personave të arrestuar vjeshtën e vitit të kaluar nën dyshimet për planifikim të sulmeve terroriste në Kosovë. Genc Selimi, Nuredin Sylejmani, Valon Shala, Ardian Mehmeti, Musli Hyseni, Fidan Demolli dhe Bekim Mulolli, nën masa të rrepta sigurie janë dërguar në gjykatë ku nëpërmjet një video lidhjeje kanë dëshmuar edhe dy motra amerikane të cilat ishin sulmuar në Prishtinë në nëntor të vitit 2013 derisa shërbenin si misionare të Kishës së Jezusit të Shenjte të Ditës së Fundit. Dy nga të arrestuarit po hetohen nën dyshimet për sulmin ndaj misionareve amerikane.

Të dyshuarit qenë arrestuar në fillim të muajit nëntor të vitit 2013 në Prishtinë dhe Gjilan, gjatë një operacioni që pasoi një hetim disamuajsh, që sipas policisë, ishte kryer në bashkërendim me agjencinë e zbulimit të Kosovës. Gjatë arrestimeve janë konfiskuar armë, para dhe makina të përdorura nga të dyshuarit.

Të gjithë ata janë në paraburgim deri në fillim të muajit prill dhe po hetohen nën dyshimet për përfshirje në përgatitje të veprimeve terroriste, nxitje të urrejtjes racore, fetare apo etnike, përçarjes apo mosdurimit kombëtar në lidhje sulmin fizik ndaj misionareve amerikane.

Avokati mbrojtës i njërit prej të akuzuarve, Bajram Tmava, i tha mbrëmë KTV-së se hetimet janë “të besueshme” dhe nuk ka njohuri për hollësitë e pretendimeve të ngritura nga prokurorët në procesin hetues.

As autoritetet në Kosovë nuk kanë dhënë më shumë hollësi rreth këtij rasti, ndërsa mediet lokale thanë se të paktën njëri nga të arrestuarit besohet të ketë qenë në Siri duke luftuar në radhët e kryengritësve, kundër forcave të regjimit të Bashar Al Asadit, përkatësisht përkrah forcave të afërta me Al Qaeda-n.

Agjencitë e zbulimit thonë se disa qindra shqiptarë nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia mund të kenë shkuar në Siri për të luftuar, ndonëse askush në Kosovë nuk ka të dhëna të sakta për numrin e tyre. Bashkësia Islame e Kosovës ka bërë thirrje në shumë raste që siç thuhet zhvillimet në lindjen e mesme dhe posaçërisht ato në Siri, të mos ndikojnë në veprimet e besimtarëve në Kosovë, duke tërhequr vërejtjen se ajo është kundër shkuarjes në luftë në Siri.

Javën e kaluar qeveria e Kosovës tha se do të dërgojë për miratim në Parlament një projektligj përmes të cilit bashkimi në konfliktet e armatosura jashtë territorit të vendit konsiderohet vepër penale dhe e dënueshme me 5 deri në 15 vjet heqje lirie.
XS
SM
MD
LG