Lidhje

Diskutime të ngjeshura për gjykatën e posaçme në Kosovë


Gjatë ditëve të ardhshme pritet një raund i ri diskutimesh ndërmjet diplomatëve perëndimorë dhe institucioneve në Prishtinë për përmbylljen e procesit.

Diplomatë perëndimorë në Prishtinë pritet të shtojnë përpjekjet, në dy ditët e ardhshme, për të arritur pajtueshmëri me udhëheqësit e institucioneve dhe të partive politike, për përfundimin e procesit të krijimit të gjykatës së posaçme dhe vazhdimin e mandatit të misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit.
Gjykata e posaçme në Kosovë
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:25 0:00

Tashmë po pritet përgjigja që duhet t’i kthejë letrës ftesë së presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton. Shkëmbimi i letrave do të hap rrugën për një votim në parlament për çështjen e Gjykatës, që ka ngjallur reagime të shumta të subjekteve politike në vend.

Letra e Catherine Ashton, do t’i mundësojë qeverisë së Kosovës, që së bashku me një pako ligjesh që e përcaktojnë mandatin e EULEX-it në Kosovë, ta dërgojë atë në Parlament, për t’u votuar në një seancë të jashtëzakonshme me shumë gjasa më 22 Prill.

Gjykata e posaçme dhe vazhdimi i mandatit të EULEX-it, ishte pjesë e bisedimeve të qeverisë së Kosovës, përgjatë disa muajve me Bashkimin Evropian, që, siç thonë zyrtare ndërkombëtarë, do të ndihmojë në vendosjen e sundimit të ligjit dhe do të trajtojë pretendimet e ngritura në raportin e të dërguarit të Këshillit të Evropës Dick Marty, për përfshirjen e ish drejtuesve të Ushtrisë Clirimtare të Kosovës në krime lufte.

Qeveria e Kosovës, e cila i ka negociuar hollësitë e krijimit të gjykatës dhe të mandatit të EULEX-it, thotë se ka arritur që të përkufizojë mandatin e misionit të BE-së, deri në qershor të vitit 2016, kur të gjitha përgjegjësitë për sundimin e ligjit do të kalojnë tek institucionet e vendit.

Kryesia e Parlamentit të Kosovë ka lënë të hapur mundësinë që çështja të hidhet për miratim kurdo që deputetëve u dorëzohen materialet e punës, varësisht nga procesi i këmbimit të letrave ndërmjet presidentes Jahjaga dhe zonjës Ashton, duke mos përjashtuar mundësinë që kjo të ndodhë edhe ne seancën e rregullt të së enjtes.

Ndonëse, nuk shihet me sy të mirë nga asnjë forcë politike në Kosovë, miratimi i gjykatës së posaçme pritet të ndodhë në Parlamentin e Kosovës, për të shmangur atë që është cilësuar si veprim më i dëmshëm për Kosovën, themelimin e gjykatës nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara.

Votimi në parlamentin e Kosovës i ligjeve të dorëzuara nga qeveria për mandatin e EULEX-it dhe krijimin e gjykatës së posaçme, do të shënojë, sipas të gjitha gjasave edhe fundin e mandatit të këtij parlamenti.

Përfaqësues politikë thonë se pas këtij votimi, parlamenti mund të vendosë menjëherë për shpërndarjen e tij, duke i hapur rrugë zgjedhjeve parlamentare, me gjasë në fund të muajit maj ose që në fillim të qershorit.
XS
SM
MD
LG