Lidhje

Fatmir Limaj – mbetet në paraburgim


Gjykata e lartë e Kosovës refuzoi kërkesën e avokatëve mbrojtës që Fatmir Limaj të mbrohet në liri nga akuzat për krime lufte

Gjykata e lartë e Kosovës vendosi sot që Fatmir Limaj dhe tre ish bashkëluftëtar të tij të mbeten në paraburgim. Një trup gjyqësor i drejtuar nga EULEX-i “vërtetoi vendimin për caktimin e masës së paraburgimit prej një muaji ndaj katër personave të akuzuar për krime në të ashtuquajturin rasti i krimeve të luftës Kleçka. Mes tjerash, Naser Krasniqi, Nexhmi Krasniqi, Naser Shala dhe Fatmir Limaj, akuzohen për krime lufte kundër popullsisë civile dhe të burgosurve të luftës”.

Në një njoftim të EULEX-it thuhet se “trupi gjykues ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar se të akuzuarit i kanë kryer krimet për të cilat akuzohen në bazë të aktakuzës së konfirmuar. Po ashtu, trupi gjykues ka vlerësuar se ekziston një rrezik i madh dhe specifik për mundësinë e frikësimit dhe ndikimit në dëshmitarët bashkëpunues të identifikuar”.

Vërtetimi i vendimit pasoi kërkesën e avokatëve mbrojtës që zoti Limaj dhe të tjerët të mbrohen në gjendje të lirë.

Në muajin maj të këtij viti Fatmir Limaj dhe tre ish bashkëluftëtarë të tij qenë shpallur të pafajshëm për të gjitha akuzat për krime lufte kundër popullatës civile dhe krime lufte kundër të burgosurve të luftës, në pjesën e parë të vitit 1999. Por, të shtunën e kaluar, Gjykata e lartë e Kosovës, vendosi kthimin e çështjes në rigjykim.

Vendimi për rigjykim dhe masa e paraburgimit nxiti reagime të shumta në Kosovë dhe përplasje ndërmjet udhëheqësve të Kosovës që e cilësuan këtë si “veprim të papranueshëm dhe fyerje për drejtësinë” dhe përfaqësuesve të Bashkimit Evropian që bënë thirrje për shmangien e komenteve politike rreth çështjeve që kanë të bëjnë me drejtësinë.

Të martën, pjesëtarë të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u hodhën në protesta duke kërkuar lirimin e zotit Limaj. Ata pamundësuan edhe ceremoninë e përurimit të autostradës “Ibrahim Rugova” që lidhë Kosovën me Shqipërinë. Përurimi i autostradës ishte planifikuar nga Qeveria e Kosovës si një prej ngjarjeve kryesore në kuadër të kremtimeve që po mbahen në Kosovë me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.

Më 30 nëntor të vitit 2005 Gjykata Ndërkombëtare për Krime lufte në Hagë shpalli të pafajshëm Fatmir Limajn i njohur me emrin e luftës si komandant Çeliku, i cili në shkurt të vitit 2003 qe akuzuar për përfshirje në krime kundër civilëve shqiptarë dhe serbë gjatë luftës së vitit 1998.

Javën e kaluar, EULEX-i bëri të ditur është ngritur aktakuzë kundër deputetit Fatmir Limaj dhe gjashtë të tjerëve, nën dyshimet për përfshirje në krim të organizuar dhe korrupsion. Akuzat u ngritën më shumë se dy vjet pasi që EULEX-i bastisi Ministrinë e Transportit dhe Telekomunikacionit që drejtohej nga zoti Limaj.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG