Lidhje

Katër pjesëtarë të UÇK-së - të pafajshëm


Një gjykatë e EULEX-it në veri të Kosovës, liroi nga akuzat për krime lufte katër veta, në mesin e të cilëve ish komandanti i UÇK-së, Sulejman Selimi

Gjykata themelore në veriun e Mitrovicës shpalli të pafajshëm katër ish pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga akuzat për krime lufte. Sulejman Selimi i njohur me emrin e luftës si Sulltani, Ismet Haxha, Nexhat Qubreli dhe Shefki Hyseni akuzoheshin për kryerje të krimeve të luftës në rajonin e Mitrovicës në vitin 1998, ndërsa njëri prej tyre edhe për përdhunimin e një femre shqiptare.
4 shqiptarë të pafajshëm
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:09 0:00


Kryetari i trupit gjykues, që udhëhiqej nga Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit, tha se nuk është vërtetuar dyshimi se të pandehurit në bashkëkryerje në cilësinë e ushtareve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë kryer krime lufte duke cenuar integritetin trupor të dëshmitareve A dhe B, mbi dëshmitë e të cilave ishte ngritur akuza.

Duke e cilësuar rastin si të vështirë dhe të ndjeshëm, misioni i EULEX-it theksoi nëpërmjet një komunikate se në këtë rast nuk u gjykua Ushtria Çlirimtare e Kosovës por të pandehurit. Është jashtëzakonisht me rëndësi të kuptohet se fajësia është individuale e jo kolektive, thuhet në njoftim në të cilin nënvizohet se aktgjykimi për këtë rast në asnjë mënyrë nuk do ta dobësojë vendosmërinë e prokurorisë së posaçme për t’i ndjekur të gjitha rastet e krimeve të luftës.

Vendimi i sotëm u mirëprit nga forcat politike në vend të cilat thanë se kjo është dëshmi e pastërtisë së luftës çlirimtare por edhe e gatishmërisë së ish luftëtarëve për t’u përballur me drejtësinë.

Pavarësisht aktgjykimi të sotëm, Sylejman Selimi, e Ismet Haxha do të vazhdojnë të qëndrojnë në paraburgim, meqë ata janë pjesë e procesit gjyqësor po ashtu për krime lufte ndaj grupit të Drenicës në të cilin janë të përfshirë pesëmbëdhjetë persona, në mesin e të cilëve edhe kryetari i komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku.

Të gjithë ata akuzohen për krime lufte kundër popullatës civile, përfshirë tortura, keqtrajtim të të burgosurve, dhe vrasje”, të cilat supozohen të jenë kryer në një qendër paraburgimi të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Likoc të komunës së Skenderajt, në vitin 1998.

Gjykimi për “Grupin e Drenicës” pritet që të vazhdojë më 12 qershor në gjykatën themelore në veriun e Mitrovicës, një zonë e banuar me shumicë serbe.

Ditë më parë, tre pjesëtarë të këtij grupi refuzuan vendimin e gjykatës që ata të mbahen në qendrën e paraburgimit në veriun e Mitrovicës dhe për disa ditë u konsideruan të arratisur.
XS
SM
MD
LG