Lidhje

Diskutohet ideja për gjykatë të posaçme për krime të luftës në Kosovë


Clint williamson, shef i grupit për hetimin e pretendimeve të të dërguarit të KE-së Dikc Marty për trafikim organesh në Kosovë, qëndroi sot në Prishtinë

Në Kosovë, autoritetet kanë bërë thirrje që të gjitha çështjet e drejtësisë të trajtohen brenda territorit të Kosovës dhe në bazë të ligjeve të saj. Komentet e tyre pasuan vizitën e prokurorit amerikan Clint Williamson që drejton punën e grupit hetues të EULEX-it për hetimin e pretendimeve të të dërguarit të Këshillit të Evropës Dikc Marty për trafikim organesh në Kosovë.



Në një njoftim për shtyp, Zoti Williamson nënvizon “përkushtimin e tij për të zhvilluar një hetim të paanshëm e të pavarur që do të shpalosë gjithë të vërtetën mbi pretendimet e ngritura”, dhe se sipas tij është në interesin e përbashkët për të zgjidhur këtë çështje njëherë e përgjithmonë.

Zoti Williamson ka theksuar se mandati i grupit hetues është të hetojë dhe nëse duhet, të ndjekë individët që mund të jenë përgjegjës për krimet e pretenduara në raportin e zotit Marty. Ai citohet të ketë thënë se është i vetëdijshëm për spekulimet mbi të ardhmen e këtij grupi, por hetimet janë duke vazhduar dhe është pamaturi të paragjykohet çfarëdo rezultati.

Gjatë kësaj vizite që është zhvilluar me dyer të mbyllura është diskutuar ideja për themelimin e një Gjykate të veçantë që do të merrej me trajtimin e pretendimeve të ngritura në dhjetor të vitit 2010 nga senatori zviceran Dick Marty dhe të përmbledhura në nja raport të janarit të vitit 2011, mbi siç thuhet, përfshirjen e disa prej ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në krime të luftës.

Kuçi: Të gjitha gjykimet duhet të bëhen në Kosovë

Në një komunikatë të lëshuar nga ministria e drejtësisë thuhet se zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi shprehu qëndrimin e qeverisë në mbështetje të grupit punues për të ndihmuar drejtësinë, por njëkohësisht kërkon të respektohet juridiksioni i vendit dhe në çdo rast të ruhet imazhi i tij dhe luftës së drejtë.
Hajredin Kuçi

Hajredin Kuçi


Zëvendëskryeministri Kuçi citohet të ketë thënë se Kosova ka ndërtuar kapacitetet e mjaftueshme në fushën e drejtësisë për të trajtuar çdo rast të mundshëm qoftë me gjyqtarë vendas apo ndërkombëtarë dhe për këtë kërkoi që çdo gjykim i mundshëm të mbahet në territorin e Kosovës dhe sipas ligjeve dhe juridiksionit të saj.

Në komunikatë thuhet se Kosova kërkon që të respektohet sovraniteti i vendit, të njihen të arriturat në fushën e drejtësisë dhe bashkëpunimi me EULEX-in, të respektohen të drejtat e njeriut të secilit qytetar, sipas standardeve ndërkombëtare. Institucionet e Kosovës duhet të jenë partnerë në këtë proces dhe çdo vendim duhet të respektojë qëndrimin sovran të tyre, thuhet mes tjerash në komunikatë.

Ideja e hedhur rreth kësaj gjykate përfshinë edhe propozimin që ajo të funksionojë jashtë sistemit gjyqësor të Kosovës dhe jashtë Kosovës për të siguruar siç thuhet pavarësinë, shpejtësinë e trajtimit të çështjeve por edhe për shkak të shqetësimeve për sigurinë e dëshmitarëve.

Pallaska: Kosova duhet të gjykojë të gjitha krimet

Në një bisedë me Zërin e Amerikës, avokati Dastid Pallaska thotë se “të gjitha krimet që janë kryer në Kosovë dhe posaçërisht ato që lidhen me luftën, duhet të gjykohen drejt dhe në mënyrë të tërësishme”.

Por, sipas zotit Pallaska, shqetësimi për dëshmitarët nuk do të duhej të ishte arsye për krijimin e një gjykate të posaçme.

Dastid Pallaska

Dastid Pallaska

Ideja kryesore është që dëshmitarëve që mund të ndjehen të kërcënuar apo edhe janë të kërcënuar në procedura të tilla penale apo edhe në cilado procedura tjera, duhet t’u ofrohet një program për mbrojtjen e dëshmitarëve që i siguron ata dëshmitarë dhe nënkupton largimin e atyre dëshmitarëve nga Kosova dhe ofrimin e dëshmisë nëpërmjet mjeteve të teknologjisë informative nga një vend i jashtëm nëpërmes videolinqeve e kështu me radhë, procedura të cilat i kemi parë edhe në gjykime në Kosovë, mirëpo edhe në gjykimet pranë gjykatës ndërkombëtare penale”.

Zhvendosja territoriale e gjykatës, thotë ai, nuk do të ndihmonte këtë çështje, ndrysa dëmet do të ishin të mëdha, “në kuptimin se jepet përshtypja që po krijohet një tribunal i veçantë për Kosovën. Kjo është në kundërshtim edhe me strategjinë e tribunalit ndërkombëtar penal në Hagë, i cili ka filluar që lëndët që nuk janë gjykuar atje, t’ua transferojë juridiksioneve ku janë kryer ato vepra penale. Kemi shumë raste kur janë kthyer lëndët për gjykim apo rigjykim në Serbi, në Kroaci, për arsye se nga koha e luftës ka kaluar një periudhë e caktuar dhe me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare këto vende janë munduar të zhvillojnë sisteme të drejtësisë të cilat janë në gjendje të gjykojnë edhe këto krime. Dhe në njëfarë mënyrë, kjo përveç dëmit reputacional që i jep Kosovës, i jep edhe një dëm gjithë ndërmarrjes ndërkombëtare për vendosjen e sundimit të ligjit në Kosovë”.

Zoti Pallaska thotë se një projekt statut i kësaj gjykate, përmban në vete telashe kushtetuese, meqë parasheh që ai të ketë përgjegjësi të gjykojë veprat për të cilat tashmë ka pasur një gjykim, duke mohuar të drejtën për të mos u gjykuar më shumë se njëherë për një vepër.

Sipas zoti Pallaska, ekzistojnë dy rrugë për themelimin e mundshëm kësaj gjykate.
Mënyra e parë është që ky tribunal të krijohet në bazë të një ftese të qeverisë së Kosovës që i bën një organizate ndërkombëtare për të themeluar këtë tribunal dhe ky tribunal pastaj themelohet mbi një marrëveshje ndërkombëtare ku Kosova e bartë një pjesë të sovranitetit të vet shtetëror. Duhet të nënvizohet se kushtetuta jonë e parasheh bartjen e sovranitetit shtetëror dhe pastaj kjo marrëveshje ratifikohet në kuvend me dy të tretat e votave dhe kësisoj e themelon bazën ligjore për funksionimin e këtij tribunali. Një model i këtij tribunali ekziston dhe ai është tribunali special për Libanin që është marrë ekskluzivisht me hetimin e atentatit kundër ish kryeministrit Rafik Hariri. Baza e dytë që mund të vihet në lojë, është që ky tribunal të themelohet me vendim të KS të OKB-së dhe kjo vjen në shprehje në atë moment kur themelimi vullnetar nuk është i realizueshëm”, thotë zoti Pallaska

Pretendimet e ngritura nga i dërguari i Këshillit të Evropës Dikc Marty, patën nxitur reagime të zemëruara në Prishtinë ku autoritetet hodhën poshtë pohimet e tilla ndërsa u shprehën të gatshëm të bashkëpunojnë me drejtësinë ndërkombëtare për hetimin e të gjitha pretendimeve. Gatishmërinë për bashkëpunim e kishte ofruar atëbotë edhe Shqipëria për shkak se sipas pretendimeve të ngritura një pjesë e krimeve të dyshuara mund të ishin kryera në territorin e saj.

Njëzet e një vjet më parë, Kombet e Bashkuara ngritën Gjykatën Ndërkombëtare për Krime Lufte në ish-Jugosllavi veprimi i së cilës përfshinte edhe Kosovën. Nëse do të realizohej një ide për gjykatë të posaçme, Kosova do të ishte vendi i vetëm në rajon që do të përballej me një mekanizëm të tillë, që për vëzhguesit është i panevojshëm duke pasur parasysh edhe faktin se në Kosovë vepron misioni me i madh evropian për policinë dhe drejtësinë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG