Lidhje

Sulm mbi EULEX-in në veriun e Kosovës


Persona të panjohur kanë qëlluar më armë zjarri mbi një autokolonë të EULEX-it dhe policisë së Kosovës në veriun banuar me shumicë serbe.

Zyrtarë të Misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit, bënë të ditur se persona të panjohur kanë qëlluar me armë zjarri mbi një autokolonë të EULEX-it dhe policisë së Kosovës në veriun banuar me shumicë serbe.

Sulmi ka ndodhur në fshatin Varagë të komunës së Zubin Potokut. Ai është kryer me armë automatike dhe me këtë rast një pjesëtare e policisë së Kosovës është lënduar nga xhamat e makinës.

Në një njoftim të EULEX-it thuhet se një pjesëtar i policisë së Kosovës është lënduar lehtë, ndërsa një automjet i policisë së Kosovës dhe një automjet i EULEX-it kanë pësuar dëme.

Një numër personash të armatosur janë shfaqur në rrugën mes Zupçes dhe Zubin Potokut sot në mëngjes. Ata kanë hapur zjarr kundër dy automjeteve. Një numër oficerësh policie të EULEX-it kanë qenë duke udhëtuar për në Zubin Potok, për të kryer detyrat e tyre të zakonshme në stacionin e policisë kur ka ndodhur sulmi.

Automjeti i policisë së Kosovës ka qenë duke i shoqëruar ata.

Sulmi kundër zyrtarëve policor ishte i bashkërenduar dhe i planifikuar. Hetimi ka filluar dhe është duke u udhëhequr nga një prokuror i EULEX-it. Policia e EULEX dhe pjesëtaret e Policisë së Kosovës nga Zubin Potoku janë duke punuar së bashku për të sjellë autorët para drejtësisë”.

Dënohet gjerësisht sulmi në veri

Shefi i EULEX-it, Xavier De Marnhac dhe Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së, Samuel Zbogar, dënuan fuqishëm incidentin në veri. “Personat përgjegjës duhet të sillen para drejtësisë sa më shpejt. U bëj thirrje të gjithë atyre që mund të kenë informacion në lidhje me këtë incident që të kontaktojnë policinë,” citohet të ketë thënë Xavier Bout de Marnhac.

Ndërsa, zoti Zbogar ka vlerësuar se “jetë njerëzish janë vënë në rrezik. Kjo tregon dhe përforcon nevojën për më shumë sundim të ligjit në këtë pjesë të Kosovës”.

Incidenti u dënua edhe nga zëvendësshefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara Robert Sorenson. Në reagimin e tij thuhet se “ky akt i dhunës ndaj atyre që ndihmojnë forcimin e sundimit të ligjit dhe ofrojnë siguri për të gjitha komunitetet në Kosovë është i papranueshëm dhe duhet të dënohet nga të gjithë”.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, dënon atë që ajo e ka cilësuar si “akt terrorist, qyqar e tinëzar ndaj patrullës së policisë së Kosovës dhe autokolonës së EULEX-it”.
Në reagimin e saj ajo shpreh “përkushtimin dhe angazhimin e institucioneve që ata që zunë pusi dhe sulmuan policinë e Kosovës, duke rrezikuar jetën e pjesëtarëve të saj, do të zbulohen dhe do të marrin dënimin nga organet e drejtësisë. Aktet e tilla janë të patolerueshme dhe dënohen e gjykohen nga të gjithë qytetarët e Kosovës që angazhohen për rend dhe qetësi, për sundim të ligjit dhe për lëvizje të lirë në të gjithë territorin e vendit”.

Qeveria e Kosovës ndërkaq vlerëson se sulmi i sotëm, “dëshmon edhe një herë se krimi dhe mungesa e sundimit të ligjit në veri të vendit, kërkon mobilizim për trajtim nga institucionet lokale dhe ndërkombëtare në Kosovë. Qeveria e Kosovës është e vendosur që të përballet me vendosmëri në luftën kundër akteve kriminale dhe veprimtarisë së rrjeteve të organizuara kriminale në këtë pjesë të vendit, si dhe të ndërmarr të gjithë hapat për vendosjen e sundimit të ligjit dhe sigurimin e lëvizjes së lirë të njerëzve dhe mallrave edhe në atë pjesë të Republikës së Kosovës”.

Në reagimin e qeverisë thuhet se “aktet e dhunës kundër forcave të rendit dhe të sigurisë, janë akte të dhunës kundër sigurisë së të gjithë qytetarëve të shtetit tonë, dhe të gjithë ata që janë të përfshirë në këto akte të dhunshme dhe shkelin rendin dhe ligjin do të marrin dënimin dhe veprimin e ashpër të ligjit”.

Ndërkohë, drejtori i zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Aleksandër Vulin, dënoi sulmin nga Prizreni ku po qëndronte për një vizitë me pajtimin e institucioneve të Prishtinës. Ai tha se Serbia është e gatshme të mbështesë bashkësinë ndërkombëtare në përpjekjet për të vënë para drejtësisë autorët e sulmit.

Ai u ndalua dhe u dënua për në Serbi nga policia e Kosovës në orët e pasdites, derisa po udhëtonte për në veri të Kosovës. Policia tha se vizita e tij u ndërpre për shkak se “ai ka bërë devijim të agjendës dhe nuk i është përmbajtur agjendës e cila paraprakisht ishte e miratuar nga organet përkatëse të Republikës së Kosovës. Njësitet policore të rajonit të Mitrovicës kanë bërë përcjelljen e zotit Aleksandër Vulin dhe i njëjti përmes vendkalimit kufitar në Merdare është deportuar për në Serbi”.

Në tri ditët e fundit në veri janë regjistruar katër sulme, tri nga të cilat më mjete shpërthyese.

Veriu i Kosovës, vazhdon të jetë jashtë kontrollit të autoriteteve të Prishtinës dhe atje nuk pranohen dhe nuk njihen institucionet e Kosovës. Situata në atë zonë ka bërë që të shtohen zërat për mundësinë që çështja të jetë temë e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të cilat pritet të rifillojnë në vjeshtën e këtij viti dhe atë në nivel më të lartë politikë.

Prishtina zyrtare ka shprehur gatishmërinë për të diskutuar me Beogradin për të gjitha çështjet e hapura, po jo edhe për rregullimin e brendshëm juridik. Kjo gatishmëri është kundërshtuar nga një pjesë e opozitës e cila kundërshton bisedimet politike me Beogradin.

Edhe organizata joqeveritare në Kosovë kanë bërë thirrje që përfundimi i mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë të mos shënojë edhe fundin e angazhimeve për zbatimin planit të kryenegociatorit të Kombeve të Bashkuara Martti Ahtisaari, në bazë të të cilit edhe është shpallur pavarësia e Kosovës dhe çështja e veriut të Kosovës të banuar me shumicë serbe, të zgjidhet pikërisht në kuadër të këtij plani.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG