Lidhje

Kosovë: Arrestime për sulm ndaj policisë serbe


Dy shqiptarë janë arrestuar nën dyshimet për sulm ndaj një postblloku të policisë serbë në Luginën e Preshevës

Zyrtarë të Misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit në Kosovë, thanë se një gjykatës i këtij misioni vendosi masën e paraburgimit për dy persona të arrestuar të mërkurën, nën dyshimet për terrorizëm dhe armëmbajtje pa leje.

Të dy personat të përkatësisë kombëtare shqiptare ,u arrestuan në një operacion të përbashkët të EULEX-it dhe policisë së Kosovës në rajonin Gjilanit në Kosovën lindore.
Në një komunikatë për opinion të këtij misioni thuhet se njëri nga të paraburgosurit “pretendohet se është pjesëtar i një organizate terroriste e cila e kishte marrë përgjegjësinë për tri sulme kundër policisë serbe në fshatin Dobrosin, të Luginës së Preshevës”.

Përgjegjësin e sulmeve e kishte marrë nëpërmjet një komunikate për mjetet e informimit, një organizatë që veten e quan “Lëvizja e lirisë”.

Autoritetet nuk kanë bërë të ditur identitetin e të paraburgosurve, ndërsa mediet lokale
thanë se njëri nga të arrestuarit është Gazmend Lakna, që sipas avokatëve mbrojtës, dyshohet për lidhje me grupin që thuhet se është përgjegjës për sulmin mbi policinë serbe në fshatin Dobrosin.

Në tri raste gjatë vitit 2012 një postbllok i policisë serbe ishte qëlluar me armë në këtë fshat, në të cilin në vitin 2000 ishte themeluar Ushtria Çlirimtare e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, një formacion i kryengritësve shqiptarë që luftonin për më shumë të drejta të shqiptarëve në zonë.

Në maj të vitit 2001, konflikti ndërmjet kryengritësve shqiptarë dhe forcave qeveritare serbe, mori fund me ndërhyrjen e komunitetit ndërkombëtarë.
XS
SM
MD
LG