Lidhje

Vritet një pjesëtar i EULEX-it në veri të Kosovës


Kosovo, EULEX

Kosovo, EULEX

Persona të panjohur kanë qëlluar mbi një makinë të EULEX-it në komunën e Zveçanit, në veri

Një pjesëtar i Misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit, është vrarë sot në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe.



EULEX-i bëri të ditur se në orët e hershme të mëngjesit, në një fshat të rajonit të Zveçanit, në veri, është shtënë me armë zjarri mbi dy makina të EULEX-it, me të cilat po udhëtonin gjashtë pjesëtarë të tij për në vendkalimin kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në Jarinë.

Nga plagët e marra në këtë sulm ende të pasqaruar, ka humbur jetën një oficer i doganave, nga Lituania, që shërbente në radhët e EULEX-it.

Mediet në Lituani thanë se i vrari është Audrius Shenaviçius, 35 vjeçar, i cili shërbente në EULEX- që nga viti i kaluar.

Tash për tash nuk janë dhënë më shumë hollësi rreth incidentit që ka ndodhur në pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe ku ende nuk njihen dhe nuk pranohen institucionet e Prishtinës.

Ky është rasti i parë që një pjesëtar i EULEX-it humb jetën, që nga vendosja e tij në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë së saj, që vazhdon të kundërshtohet nga Beogradi dhe serbët në veri.

Në një komunikatë për opinion, EULEX-i e dënon fuqishëm “këtë akt qyqar të dhunës kundër pjesëtarit të tij”, duke kërkuar ndihmën e komunitetit për të ndriçuar rrethanat dhe për të vënë autorët para drejtësisë.

Reagime ndërkombëtare ndaj sulmit në veri

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, është shprehur thellësisht e pikëlluar me vdekjen e pjesëtarit lituanez të EULEX-it në veri të Kosovës.

Shpreh ngushëllimet e mia më të thella për familjen dhe miqtë e viktimës. E dënoj me fjalët më të fuqishme të mundshme sulmin që ka çuar në vdekjen e një pjesëtari të personelit. Autorët duhet të sillen para drejtësisë”, thuhet në një deklaratë në të cilën theksohet se Bashkimi Evropian është i vendosur që të vazhdojë angazhimin në Kosovë dhe punën e tij në lehtësimin e dialogut.

U bëj thirrje të gjitha palëve që të dyfishojnë përpjekjet për të zbatuar marrëveshjet e arritura për të normalizuar marrëdhëniet dhe për të përmirësuar jetët e njerëzve në veri të Kosovës”, thuhet në deklaratën e zonjës Ashton.

Ambasadorja amerikane në Prishtinë, Tracey Jacobson, është shprehur “e tronditur me sulmin ndaj EULEX-it në veri, këtë mëngjes, dhe e trishtuar me humbjen e jetës”.

Në një deklaratë të përbashkët të përfaqësuesit të posaçëm të Bashkimit Evropian, shteteve anëtare të përfaqësuara në Kosovë dhe Ambasadës së Shteteve të Bashkuara, dënohet fuqishëm vrasja e sotme.

Sulmi mbi EULEX-in është një sulm mbi BE-në dhe tërë bashkësinë ndërkombëtare. Është një sulm mbi gjithçka për të cilën angazhohemi përfshirë paqen, sigurinë dhe sundimin e ligjit. Nuk ka hapësirë për dhunë, kërcënime dhe frikësim në Kosovën e sotme”.

Duke u shprehur mbështetje autoriteteve që t'i gjejnë autorët e krimit dhe t'i sjellin para drejtësisë, ata theksojnë se “përpjekjet për ta destabilizuar progresin në veri të Kosovës janë të papranueshme. Ne ju bëjmë thirrje të gjithë individëve që të veprojnë me përgjegjësi dhe të vazhdojnë mbështetjen e tyre për zbatimin e marrëveshjes së 19 prillit midis Prishtinës dhe Beogradit. Ne ripohojmë përkushtimin tonë në mbështetjen e plotë për zbatimin e kësaj marrëveshjeje, përfshirë këtu edhe mbajtjen e zgjedhjeve komunale të lira, të drejta dhe gjithëpërfshirëse më 3 nëntor në Kosovë”.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, dënoi sulmin duke ngushëlluar njëkohësisht familjen dhe të dashurit e pjesëtarit të ndjerë të EULEX-it, pjesëtarët e misionit të EULEX-it, si dhe popullin dhe Qeverinë e Lituanisë. Në deklaratën e tij ai thekson se KFOR-i do të vazhdojë të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të përmbushur mandatin e tij që është mjedisi i qetë e i sigurt dhe liria e lëvizjes në Kosovë.


Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon dënoi me fjalë të ashpra sulmin.

Zoti Ban i shprehu ngushëllimet e tij të sinqerta familjes së pjesëtarit të EULEX-it, që humbi jetën.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së bëri gjithashtu thirrje për hetime të shpejta dhe të rrënjësishme për nxjerrjen para drejtësisë të autorëve të këtij 'krimi prej frikacakësh'.

Zoti Ban nënvizoi gjithashtu rolin kyç që ka luajtur prania ndërkombëtare në Kosovë. Ai theksoi rëndësinë që të gjitha palet e angazhuara të bashkëpunojnë në procesin hetimor dhe të garantojnë siguri dhe liri të lëvizjes së EULEX-it dhe pranive të tjera ndërkombëtare në zbatimin e mandateve të tyre.

Shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Farid Zarif, dënoi ashpër sulmin e sotëm.

Ky akt i neveritshëm i dhunës është sulm i drejtpërdrejtë ndaj parimeve të paqes, drejtësisë dhe qytetërimit, të cilave u shërbejnë misionet ndërkombëtare në Kosovë. Çdo sulm kundër përfaqësuesve të komunitetit ndërkombëtar është sulm ndaj bashkësisë ndërkombëtare në tërësi”, thuhet në deklaratën e zotit Zarif.

Prishtina dënon ashpër sulmin në veri

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, dënon ashpër sulmin e sotëm. Në reagimin e saj thuhet se “ky sulm ndaj EULEX-it, mision ky i cili bënë përpjekje të pareshtura krahas institucioneve të tjera të sigurisë të vendosin rend dhe ligj në tërë territorin e Republikës së Kosovës, është një akt plotësisht i patolerueshëm i forcave që kanë për qëllim destabilizimin e vendit tonë dhe prishjen e rendit kushtetues në kohën kur institucionet e Republikës së Kosovës po tregojnë pjekuri politike, duke u angazhuar të krijojnë një shtet gjithëpërfshirës. Sulmi ndaj EULEX-it është sulm ndaj vlerave të shtetit të Kosovës.

Sulmet e këtilla mbi praninë ndërkombëtare në Kosovë, në një periudhë të përgatitjeve për mbajtjen e zgjedhjeve komunale, që synojnë gjithëpërfshirjen, janë përpjekje për të krijuar klimë të pasigurisë dhe të frikës”, thuhet në reagimin e presidentes Jahjaga.

Sulmi në veri u dënua ashpër edhe nga kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi. Në një deklaratë për opinion thuhet se “ky sulm kundër pjesëtarëve të EULEX-it është një akt i shëmtuar dhe qyqar kundër sundimit të rendit dhe ligjit edhe në atë pjesë të territorit të Republikës së Kosovës dhe si i tillë është i dënueshëm nga qytetarët dhe institucionet e Kosovës. Qeveria në bashkëpunim me EULEX-in, KFOR-in dhe partnerët tjerë ndërkombëtarë është e vendosur që të vazhdojë t’i kryejë obligimet e veta kushtetuese dhe ligjore për fuqizimin e sundimit të rendit dhe ligjit në tërë territorin e Kosovës, me theks të veçantë edhe në pjesën veriore të vendit”, thuhet në reagim, në të cilin u bëhet thirrje organeve të rendit që të marrin të gjitha masat për të vënë autorët para drejtësisë.

Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, është shprehur i trishtuar me vrasjen e sotme. “Ky sulm qyqar mori jetën e një zyrtari të pafajshëm, që po i kontribuonte interesit të të gjithë qytetarëve tanë dhe sigurisë e rendit, ligjshmërisë dhe zhvillimit institucional të Kosovës. Ai nxjerr para nesh edhe njëherë nevojën e ngutshme të forcimit të sigurisë, të lëvizjes së lirë dhe funksionimit normal të institucioneve të Kosovës”, theksohet në deklaratën e zotit Krasniqi.

Lidhja Demokratike e Kosovës e dënoi sulmin duke nënvizuar se “aktet e tilla kriminale janë sulme ndaj të koncepteve evropiane, për të cilat angazhohen me të gjitha forcat qytetarët e Republikës së Kosovës”. Kjo parti e vlerëson “ndihmën që ka dhënë dhe po jep EULEX-si në vendin tonë dhe e konsideron atë si një vlerë evropiane në Kosovë”.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, e dënoi sulmin duke e cilësuar atë “një akt të shëmtuar dhe qyqar kundër Misionit të EULEX-it dhe përpjekjeve të përbashkëta për vendosjen e rendit, ligjit dhe të kushtetutshmërisë, tash në prag të mbajtjes së zgjedhjeve lokale ne vend dhe në veri, gjithashtu”.

Sulmi u dënua edhe nga partitë tjera politike por edhe organizata të shoqërisë civile.

Reagon edhe Beogradi

Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç, tha sot në Beograd se sulmi ndaj EULEX-it në veri të Kosovës paraqet akt ekstremist, që i shkakton dëm Serbisë në përgjithësi.

Nuk janë të shtëna mbi EULEX-in, por në të ardhmen e popullit serb në Kosovë, në të ardhmen e Serbisë dhe qytetarëve të saj. Sulm ndaj EULEX-it dhe KFOR-it? Cila është e ardhmja e popullsisë serbe në këto kushte? Ata që e kanë bërë këtë janë armiq të Serbisë”, citohet të ketë thënë ai duke nënvizuar se “çmenduria ekstremiste” mund të kërcënojë paqen, qëndrueshmërinë dhe sigurinë në Kosovë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG