Lidhje

Nderohet oficeri i vrarë i EULEX-it


Përfaqësues të institucioneve të Kosovës dhe të Bashkimit Evropian, ju bashkua sot ceremonisë së përcjelljes për në atdhe të oficerit të EULEX-it, Audrius Senaviçius, nga Lituania, i cili u vra javën e kaluar në veri të Kosovës. Të enjten e kaluar, persona ende të panjohur qëlluan mbi një autokolonë të EULEX-it në afërsi të Zveçanit një komunë e banuar me shumice etnike serbe.

Në ceremoninë e sotme, presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga tha se krimi nuk do të kalojë pa u ndëshkuar.

E kam dënuar ashpër sulmin mbi EULEX-in javën e kaluar që shkaktoi këtë vdekje të parakohshme dhe jam siguruar nga të gjitha institucionet e Kosovës dhe partnerët tanë se nuk do të lëmë gurë pa lëvizur derisa t’i gjejmë kryesit e këtij sulmi qyqar. Ky sulm është sulm mbi vlerat tona të përbashkëta nga forcat shkatërruese që duan ta ngufasin përparimin e Kosovës, që duan t’i përmbysin arritjet tona të shumta dhe që kanë për qëllim të mbjellin mosbesimin dhe frikën në zemrat e qytetarëve të Kosovës që po përpiqen dhe po bëjnë sakrifica të mëdha për ta transformuar shtetin tonë në një vend më të mirë”, tha presidentja Jahjaga.

Edhe shefi i EULEX-it, Bernd Borchardt, u zotua para familjes së oficerit të vrarë se do të bëhet gjithçka për të vënë para drejtësisë autorët e kësaj vrasjeje.

Nuk mund të lëmë dhe nuk do të lejojmë që krimi, dhuna dhe kërcënimet, të na zmbrapsin nga përmbushja e misionit tonë. Besoj se kjo do të ishte dëshira edhe e kolegut tonë të vrarë. Në këtë përpjekje qëndrojmë të bashkuar”, tha ai duke nënvizuar se “sulmi nuk ishte i drejtuar vetëm kundër misionit, por edhe kundër Bashkimit Evropian dhe kundër sundimin e ligjit”.

Përfaqësuesit e Lituanisë, thanë se sulmi ndaj EULEX-it dhe vrasja e oficerit doganor nuk do të ndryshojnë qasjen e këtij vendi ndaj misionit për vendosjen e sundimit të ligjit në Kosovë. Darius Gaidys, i ngarkuar me punë i Lituanisë në Bullgari, që mbulon edhe Kosovën, tha se vendi i tij është dhe do të mbetet i angazhuar në misionet ndërkombëtare në Kosovë.

Duke qenë shteti më i ri në Evropë, Kosova ka nevojë për mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare në rrugën e vështirë të shtet ndërtimit dhe kjo vrasje brutale dëshmon se mekanizmat ndërkombëtarë kanë rol të rëndësishëm për sigurinë, qëndrueshmërinë dhe sundimin e ligjit në Kosovë”, tha ai.

Vrasja e doganierit Senaviçius paraqet rastin e parë që një pjesëtar i EULEX-it humb jetën, që nga vendosja e tij në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë së saj, që vazhdon të kundërshtohet nga Beogradi dhe serbët në veri.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG