Lidhje

Kosovë: EULEX-i bastisë zyrat e gazetarit Milaim Zeka


Bastisjet kishin të bënin me pohimet se ai ka publikuar identitetin e dëshmitarëve të mbrojtur në një proces kundër një grupi të ish pjesëtarëve të UÇK-së.

Policia e Misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit, bastisi sot në Prishtinë, zyrat dhe shtëpinë e gazetarit Milaim Zeka, autor i emisionit “Pa Rrotlla” që transmetohet në Radiotelevizionin e Kosovës.

Në një komunikatë për opinion, zyrtarë të këtij misioni thanë se kontrollet u kryen në lidhje me një hetim për veprën penale të frikësimit gjatë procedurës penale, përpjekjes për pengim të të provuarit apo e procedurës zyrtare dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Zyrtarët e EULEX-it nuk dhanë më shumë hollësi, ndërsa gazetari Zeka dhe avokati i tij thanë se kontrollet kishin të bënin me pohimet se ai ka publikuar identitetin e dëshmitarëve të mbrojtur në një proces kundër një grupi të ish pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të akuzuar për krime lufte.

Javën e kaluar, prokurorët e EULEX-it ngritën një aktakuzë kundër pesëmbëdhjetë personave nën dyshimet për përfshirje në krime të luftës kundër popullatës civile, përfshirë tortura, keqtrajtim të të burgosurve dhe vrasje, të cilat pretendohet se mund të jenë kryer në një qendër paraburgimi të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në fshatin Likoc të komunës së Skenderajt në vitin 1998.
XS
SM
MD
LG