Lidhje

Tre të dënuar në rastin Kosovo 2.0


Misioni i EULEX-it njoftoi se tre persona janë dënuar me nga një vit heqje lirie për përfshirje në një sulm ndaj revistës Kosovo 2.0 që trajtonte tema të seksit dhe homoseksualitetit

Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit tha se tre persona janë shpallur fajtorë dhe janë dënuar me nga një vjet heqje lirie, me kusht, nën akuzat për përfshirje në sulmin ndaj personelit të revistës Kosovo 2.0, më 14 dhjetor të vitit 2012.

Akuzat lidhen më një incident në Prishtinë, kur grupe personash ndërhynë me forcë për të penguar prezantimin e revistës Kosovo 2.0 që numrin e saj të dhjetorit 2012 ua kishte kushtuar temave të seksit dhe trajtimit të homoseksualitetit.

EULEX-i njofton se të akuzuarit Albert Kastrati, Gani Latifi dhe Driton Dili u shpallën fajtorë për “shkelje të statusit të barabartë të banorëve të Kosovës, parandalim ose pengim të tubimit publik dhe dëmtim të pasurisë së luajtshme. Atyre u është hequr akuza për “lëndim të lehtë trupor për shkak të mungesës së dëshmive lidhur me lëndimet. Vepra e nxitjes së urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtar, racor, fetar a etnik, është tërhequr gjatë gjykimit meqë ajo ishte përfshirë në ligjin për Amnistinë”, thuhet në njoftim.

Incidentet për të cilat u shpallën dënimet ndodhën në Pallatin e Rinisë dhe të Sportit në Prishtinë, ku Organizata Joqeveritare mediale Kosova 2.0 e kishte organizuar një ngjarje promovuese të revistës. Në aktakuzë thuhet se tre të akuzuarit, së bashku me një grup të personave të panjohur, ndërhynë duke parandaluar dhe penguar me forcë mbajtjen e tubimit publik, shkatërruan një pjesë të inventarit dhe e sulmuan një pjesëtar të personelit Kosovo 2.0.

Incidenti kishte nxitur reagime të shumta të institucioneve e organizatave vendase e ndërkombëtare të cilat bënë thirrje kundër çdo forme të diskriminimit dhe kufizimit të lirisë së shprehjes.
XS
SM
MD
LG